RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjyshja dorëzoi nipin në polici pas 7 ditësh, nëna e 3-vjeçarit: E vendos gjykata nëse do i takoj më gjyshërit

20/04/2024

Gjyshja dorëzoi nipin në polici pas 7 ditësh, nëna e 3-vjeçarit: E vendos gjykata nëse do i takoj më gjyshërit

E lumtur, e emocionuar dhe me mall për fëmijën e saj, kjo ishte pamja e parë e Ile Gjunit pas bashkimit me djalin e saj 3-vjeçar, të cilin gjyshërit e mbajnë jashtë dëshirës së saj për një javë.

Pasi u bashkua me fëmijën në Policinë e Durrësit, 23-vjeçaria falenderoi policinë dhe mediat, ndërsa tha se do të vendos gjykata nëse gjyshërit do takohen më me 3-vjeçarin.

“Falenderoj policinë e Durrësit dhe mediat. Nuk e di ku e mbanin djalin, por ai është shumë mirë. Të gjitëh këtë periudhë e kam përjetuar shumë keq. Do të vendos gjykata nëse gjyshërit do e takojnë sërish fëmijën”, tha ajo.

Ajo u përcoll në shtëpi së bashku me djalin në krah nga policia e Durrësit. Fëmija 3-vjeçar u dorëzua sot (20 prill) në policinë e Durrësit nga gjyshja Bahrije Gjuni, e cila e mbajti të fshehur dhe larg të ëmës për 7 ditë.

Më 13 prill nëna e fëmijës denoncoi në policinë e Durrësit për moskthimin e djalit nga gjyshërit e tij. 

Fëmija ishte marrë nga gjyshërit, ku nëna e kishte lënë të qëndronte disa orë, por nuk e mori më mbrapsht. Për ngjarjen e rëndë ndodhen në burg gjyshi i fëmijës Rexhep Gjuni dhe kunati i tij Arben Selaj, të cilët ishin pjesë e ngjarjes dhe nuk kanë treguar se ku e kishin çuar 3-vjeçarin.

Problemet mes nënës së fëmijës dhe vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident, ku këta të fundit kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit.  

/rtsh.al/