RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjyqtarët dhe prokurorët e kërcënuar, 3 prej tyre u morën në mbrojtje gjatë 2023

28/04/2024

Gjyqtarët dhe prokurorët e kërcënuar, 3 prej tyre u morën në mbrojtje gjatë 2023

Gjyqtarët dhe Prokurorët shpesh herë kanë qenë në fokus të individëve apo grupeve kriminale, të cilët nuk kanë kursyer kërcënimet ndaj tyre.

Hetimi i çështjeve, që kryesisht kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, apo gjykimi i tyre, e ka shtyrë botë e krimit që të kërcënojë vetë njerëzit e drejtësisë apo familjarët e tyre.

Gjatë vitit 2023, janë regjistruar tri raste, kur njerëzit e drejtësisë janë kërcënuar dhe autoritetet kanë vendosur marrjen në mbrojtje të magjistratëve.

Më 1 tetor dy prokurorët, Doloreza Musabelli e SPAK dhe Merita Selimi i Lushnjës, u morën në mbrojtje, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani mbi planin e bandës së Laert Haxhisë për eliminimin e tyre.

Tri ditë më pas, më 6 tetor tri gjyqtare të gjykatës së Apelit në Tiranë u kërcënuan.

Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri u kërcënuan në sallë e gjyqit, gjatë shpalljes së vendimit ndaj një grupi kriminal.

Më 23 nëntor, gjyqtares Irena Gjoka iu shtuan truprojat nga Garda e Republikës, pasi u pa e arsyeshme për shkak të sulmeve verbale që iu bënë kundër saj, edhe në rrjetet sociale, komente fyese dhe gjuhë urrejtje kundër saj.

Për këto kërcënime të magjistratëve u diskutuan ndryshime të dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave për riorganizimin e mbrojtjes së magjistratëve, por deri tani nuk ka asnjë iniciativë konkrete.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/