RTSH 24 Live

Europë

Gjermania arreston tre të dyshuar si spiunë, informonin Kinën për teknologjitë ushtarake

22/04/2024

Gjermania arreston tre të dyshuar si spiunë, informonin Kinën për teknologjitë ushtarake

Dyshimet se punonin si spiunë për shërbimin sekret kinez çuan të hënën në arrestimin e tre shtetasve gjermanë.

Hervig F. dhe Ina F., një çift i martuar që drejtojnë një kompani në Duseldorf, dhe Tomas R., që sipas prokurorëve punonte si agjent për një punonjës të Ministrisë kineze për Sigurinë e Shtetit (MSS), dyshohet se kishin për qëllim t'i dorëzonin Kinës informacione mbi teknologjitë ushtarake.

Dy bashkëshortët, përmes kompanisë së tyre, kishin arritur një marrëveshje me një universitet gjerman, ku përfshihej edhe përgatitja e një studimi mbi një kontraktor kinez për prodhimin e makinerive, të cilat mund të përdoreshin për ndërtimin e motorëve të fuqishëm për anijet luftarake.

Sipas prokurorëve, partneri kontraktor kinez ishte punonjësi i MSS-së, nga ku Tomas R. merrte urdhrat.

Të dyshuarit gjithashtu kryen blerjen e një lazeri special nga Gjermania në emër dhe me pagesë të MSS-së, për ta eksportuar pa autorizim drejt Kinës.

Kancelari gjerman Olaf Sholc vizitoi Kinën javën e kaluar për të kërkuar nga Pekini që të garantohet aksesi i barabartë i kompanive gjermane në tregun kinez, duke shprehur edhe shqetësimet për politikat ekonomike të Pekinit dhe mbështetjen e tij ndaj Rusisë. /Reuters

/rtsh.al/