RTSH 24 Live

Kosova

Fillon të enjten viti i ri shkollor në Kosovë, Nagavci: Nxënësit e klasave të para do të mësojnë me abetaren e unifikuar

31/08/2022

Fillon të enjten viti i ri shkollor në Kosovë, Nagavci: Nxënësit e klasave të para do të mësojnë me abetaren e unifikuar

 

Duke filluar nga data 1 shtator vogëlushët që nisin rrugën e dijes në Kosovë do të mësojnë me abetaren e unifikuar  Shqipëri-Kosovë. Në një dalje për mediat, Ministrja kosovare e Arsimit Arbërie Nagavci bëri të ditur se bashkë me homologen e saj Shqiptare Evis Kushi, do të jenë në Gjakovë për të prezantuar këtë abetare.

“Pas një përkushtimi të madh të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, nga ky vit shkollor të gjithë vogëlushët shqiptarë do të mësojnë me të njëjtën Abetare. Bashkë me ministren e Shqipërisë, zonjën Evis Kushi ne sot do të lancojmë Abetaren e parë të përbashkët, e cila do të jetë në duart e vogëlushëve tanë.” u shpreh Nagavci.

Përsa i përket përgatitjeve për vitin e ri shkollor, që fillon këtë të enjte në Kosovë,  Nagavci gjithashtu bëri të ditur se është bërë shpërndarja e teksteve shkollore për të gjithë nxënësit, përvec atyre të klasës së pestë, të cilët shumë  shpejt do i kenë tekstet në duart e tyre.
Nagavci gjithashtu iu ka kërkuar arsimtarëve që të mos bëhen pjesë e greve të thirrur nga sindikata në çerdhe e shkolla,  ndërsa ka theksuar se të gjitha kërkesat e sindikatës kanë marrë përgjigje.

"Ju lus të dashur mësimdhënës e punëtorë të tjerë të arsimit që të analizoni me vëmendjen të gjithë legjislacionin, të drejtat dhe pushimet e këtyre të drejtave, obligimeve gjatë kohës së punës ose të grevës. Jam e bindur se këtë mund ta bëni vet dhe të pa ndikuar. Si mësues ju e dini më së miri se të gjithë të tjerët, se sa është e rëndësishme të kuptuarit dhe interpretimi i drejtë e vendimmarrja e bazuar në argumente e fakte”, ka thënë ajo.

E pyetur se si do të veprojnë në rast se të enjten mbahet greva në sektorin e arsimit, Nagavci tha se kjo është e drejtë e mësimdhënësve dhe se nuk mund të pretendojë t’i bindë ata ndryshe.

rtsh/