RTSH 24 Live

Botë

Erdogan takohet me liderin e Hamasit në Stamboll, zbardhen temat e diskutimeve

20/04/2024

Erdogan takohet me liderin e Hamasit në Stamboll, zbardhen temat e diskutimeve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka takuar sot liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh për bisedime në Stamboll.

Sipas mediave të huaja, gjatë takimit, dyshja diskutuan përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe për të ofruar ndihma humanitare në Gaza, thotë transmetuesi shtetëror TRT.

Takimi u zhvillua në Pallatin Dolmabahçe. Erdogan ka kundërshtuar fuqishëm që prej fillimit ofensivën izraelite në Gaza, duke u shprehur se Tel Avivi po kryen krime të shumta kundër popullsisë civile atje.

Hamasi raportohet se po shqyrton zhvendosjen e selisë së tij politike nga Doha në mes të negociatave të themelimit të armëpushimit në Gaza me Izraelin, sipas një raporti të Wall Street Journal të shtunën.

Hamasi, i cilësuar si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka një zyrë në Turqi që nga viti 2011.

Ky takim mes dy liderëve vjen në një moment tensionesh në Lindjen e Mesme, ku veç konfliktit në Gaza, rrezikon të shpërthejë një tjetër luftë, mes Iranit dhe Izraelit, pas sulmeve që këto vende kanë kryer ndaj njëri-tjetrit.

 

/rtsh.al/