RTSH 24 Live

Politikë

E ndihmoi Gruevskin? Ironia e Metës: Po, ishte tek vila e Lalëzit, i bëri Monika mëngjesin dhe...

06/05/2024

E ndihmoi Gruevskin? Ironia e Metës: Po, ishte tek vila e Lalëzit, i bëri Monika mëngjesin dhe...

Ilir Meta ka ironizuar fjalët mediatike se ai ka ndihmuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski që të arratisej nga vendi. Në 3D në RTSH, Meta ironizoi se ai fjeti një natë në vilën e tij te Gjiri i Lalëzit, ndërsa shtoi se ai ka komunikimet të vazhdueshme me të dhe se ka respekt.

“Është e vërtetë që Gruevski erdhi te ju? Po po erdhi te shtëpia ime fjeti aty pasi i bëri Monika mëngjes e përcolla e iku. Po po fjeti në një natë në vilën te Gjiri i Lalëzit”, ironizoi Meta

Presidenti i PL u shpreh se Gruevski ka ndjekur politika shumë të mira të zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së bujqësisë, gjë që edhe vetë Meta ia kishte rekomanduar Edi Ramës në 2013, por nuk e kishte dëgjuar.

Rama ka një mision, shpopullimin e vendit. Në 2013 i kam thënë duhet të bëjmë në Durrës nja dy zona siç i ka bërë Gruevski në Maqedoni, Shkupi 1, Shkupi 2 t’i bëjmë në Durrës. Nuk kishte në plan ky të nxiste zhvillime ekonomike në Shqipëri. Ato në Shqipëri për dy muaj bëhen. Maqedonia kur e mori Gruevski ishte e 94 në botë për sa i takon klimës së biznesit dhe investimeve. Në një kohë të shkurtër vajti e 10 në botë dhe e 5 në Europë pas 4 vendeve në veri. Maqedonia sot eksporton 1 milionë qengja në BE, një vend shumë më i vogël se ne. Kurse ne qengja e dhi bashkë i kemi pak më shumë se 1 milionë. Pse sepse ai mbështeti programin në bujqësi.  

Gruevski është politikani më i suksesshëm në Ballkan sa i takon zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve të huaja. Bëri një gabim strategjik që vuti një tarak në krye të SHISH një kushëririn e vet dhe bëri budallaqet e veta dhe eklipsuan të gjitha arritjet e tij. Një gjë që nuk ia fal Gruevskit është që ai ka ikur nga Maqedonia dhe ai e di. Unë kam komunikim se më dërgon librat e tij dhe kam respekt për të, por edhe sikur të kisha mundësi ta ndihmoja do i thoja do rrish në vendin tënd të përballesh”, tha Meta.

/rtsh.al/