RTSH 24 Live

Aktualitet

Durrës-E mbante të fshehur prej një jave dhe nuk ia jepte të ëmës, gjyshja dorëzon në polici nipin 3-vjeçar

20/04/2024

Durrës-E mbante të fshehur prej një jave dhe nuk ia jepte të ëmës, gjyshja dorëzon në polici nipin 3-vjeçar

Ka marrë fund shqetësimi i nënës, të cilës prej 7 ditësh vjehrri dhe vjehrra i kishin marrë fëmijën 3-vjeçar dhe nuk ia tregonin se ku e mbanin.

Ditën e sotme (20 prill) gjyshja Bahrije Gjuni, e shoqëruar nga avokati, ka dorëzuan nipin e saj në polici. Nuk dihet se çfarë ajo ka deklaruar para efektivëve, ndërsa fëmija është marrë nga nëna e tij.

Sipas policisë “janë kryer kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë” ndërsa pas negociatave të shumta, gjyshja është vetëdorëzuar së bashku me nipin e saj 3-vjeçar.

Për ngjarjen e rëndë ndodhen në burg gjyshi i fëmijës Rexhep Gjuni dhe kunati i tij Arben Selaj, të cilët ishin pjesë e ngjarjes dhe nuk kanë treguar se ku e kishin çuar 3-vjeçarin.

Ata u arrestuan pas denoncimit të nënës së 3-vjeçarit Ile Gjuni, e cila trokiti në dyert e policisë së Durrësit për moskthimin e djalit nga gjyshërit e tij.  

Fëmija ishte marrë nga gjyshërit më 13 prill, ku nëna e kishte lënë të qëndronte disa orë. Kur vajti për të marrë fëmijën gjyshërit nuk ia dhanë dhe pas kësaj, Ile Gjuni ka bërë denoncim në polic ku ka rrëfyer se djalin e kanë marrë gjyshërit nga i ati dhe refuzojnë t’ia kthejnë.

Nëna 23-vjeçare tha se problemet me ish-vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj në zonën e ish-kënetës në Durrës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën e 13 prillit ata nuk ia kthyen më.

Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili thotë se kjo është një nga ato situatat që nuk gjen dot fjalët.

“Amari i vogël 3 vjeçar sapo mbërriti në krahët e nënës së tij. Ndërsa i takon drejtësisë të vendosë, edhe dashuria e gjyshërve nuk do të mungojë për Amarin. Kjo është një nga ato situata për të cilat, nuk gjenden dot fjalët. Përgëzime Drejtorisë së Policisë Durrës”, shkruan Balla.

/rtsh.al/