RTSH 24 Live

Politikë

Dervishi: Bashkinë e Kavajës e gjetëm në gjendje të keqe, bashkëpunimi me qeverinë, të mos mbetet në fjalë

06/05/2024

Dervishi: Bashkinë e Kavajës e gjetëm në gjendje të keqe, bashkëpunimi me qeverinë, të mos mbetet në fjalë

Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Baki Dervishi i ftuar në studion e RTSH24 ka deklaruar se Bashkia po punon intensivisht për t’u përgatitur për sezonin turistik. Ndërsa tha se Bashkinë e Kavajës e gjetën në gjendje shumë të keqe, Dervishi shtoi se buxheti i kufizuar nuk lejon investimin në vijën bregdetare. Dervishi theksoi se deti është afruar shumë dhe për ndërhyrje, kërkohet investim madhor.

“Bashkia Kavaja ka qenë në gjendje shumë të keqe. E kemi gjetur bashkinë pa makineri. Nëse një qytetar telefononte për të ndryshuar një dritë në lagjen e tij, ne nuk kishim makineri me kosh për t’i dhënë shërbimin e duhur.

Me votimin e buxhetit të 2024 kemi kërkuar nga këshilli bashkiak, që të miratohet blerja e mjeteve. kjo u votua dhe jemi  në proces blerje makinerish. Po bëjmë maksimunin për të pritur turistët që vija bregdetare të jetë më mirë se vijat bregdetare të tjera. Kemi kërkuar një bashkëpunim nga qeveria.

Deti është afruar shumë dhe kërkon investim të madh të cilat si realizojmë dot me buxhetin që ka bashkia Kavajë. Na është thënë që do kemi mbështetje nga qeveria dhe shpresojmë të mos mbetet vetëm me fjalë, por të bëhet e realizueshme”, u shpreh ai.

Dervishi u ndal më tej dhe te zgjedhja e sekretari të Këshillit Bashkiak, ku bëri me dije se në mbledhjen e radhës do të propozohet emri.

“Kërkohen 50% plus 1 votë. Është çështje numri votash. Nuk kemi pasur numrat e duhur për të zgjedhur Sekretarin e Këshillit Bashkiak të Kavajës.

Që të arrihet shuma do duhen shumë marrëveshje dhe në mbledhjen e radhës do kemi një emër konkret dhe atë emër që do kemi, do zgjidhet”, përfundoi ai.

/rtsh.al/