RTSH 24 Live

Aktualitet

Çifti i të moshuarve u gjet i pajetë, shoqërohen në polici tre persona. Ja për çfarë po hetohen

02/05/2024

Çifti i të moshuarve u gjet i pajetë, shoqërohen në polici tre persona. Ja për çfarë po hetohen

Policia Vendore e  Gjirokastrës ka bërë të ditur së fundmi se ka shoqëruar tre persona në lidhje me ngjarjen e sotme kriminale ku janë gjetur te pajete çifti i të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishte.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për dy banorë të këtij fshati dhe një bari. Shoqërimi i tyre është bërë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin brutal.

Trupat e pajetë të çiftit të të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia u gjetën nga një fqinje e tyre, pas një telefonate nga mbesa e 84-vjeçarit nga Athina, e cila kërkonte të dinte mbi fatin e tyre pasi nuk po arrinte të kontaktonte dot me ta.

Fqinja shkoi në banesën e tyre dhe gjeti 84-vjeçarin të shtrirë në pragun e shtëpisë pranë tryezës me një shenjë goditje në pjesën anësore të kokës. Ndërsa 88-vjeçarja qëndronte e pajetë në brendësi të dhomës, me shenja dhunë në trup.

Policia e Gjirokastrës ndërkohë po hulumton për zbulimin e vrasësit.

/rtsh.al/