RTSH 24 Live

Sociale

Çelen programet e nxitjes së punësimit, interes i lartë nga subjektet dhe punëkërkuesit në Gjirokastër

18/04/2024

Çelen programet e nxitjes së punësimit, interes i lartë nga subjektet dhe punëkërkuesit në Gjirokastër

Prej disa ditësh në Gjirokastër në drejtorinë rajonale të zyrës së punës  janë çelur programet e nxitjes së punësimit. Për këtë vit janë 4 programe të dedikuara të papunëve, si  ai i formimit në punë,  praktikave profesionale, punëve publike në komunitet dhe vetëpunësimit. Kristiana Kaci përgjegjëse në këtë institucion bën me dije se deri tani interesi për të marrë pjesë është i lartë si nga subjektet ashtu edhe nga të papunët ndërsa pohon se ky shërbim ka në fokus ato grupe që nuk janë në gjendje të gjejnë vetë një punë në sektorin privat.

“Kemi një interesim të lartë për këto programe, si nga subjektet ashtu dhe nga individët që janë të regjistruar në zyrat e punës. Kemi dhe ndryshime ligjore për sa i takon individëve të papunë. Ky regjistrim ka filluar të bëhet online”, tha përgjegjësja Kristiana Kaci.

Kaci thotë se për këtë vit synimi është punësimi i 100 personave dhe se Zyrat e Punësimit ndërhyjnë direkt për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit dhe nëpërmjet subvencionimit të tyre.

“Jemi në rrugë të mbarë dhe mendoj që këtë numër do ta tejkalojmë, me mundësitë financiare që kemi në dispozicion për këto programe. Kryesisht janë student, praktika profesionale dhe kategori të veçanta që janë punëkërkuesit e papunë”, tha Kaci.

Sipas të dhënave në Gjirokastër deri tani janë regjistruar 90 pjesëmarrës në programet e nxitje së punësimit. Në vitin 2023 u regjistruan gjithsej 120 pjesëmarrës.

Gazetare: E. Dyrmishi

/RTSH/