RTSH 24 Live

Rajon

Bregu: Të ndërtojmë një të ardhme ku Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e familjes së BE-së

09/05/2024

Bregu: Të ndërtojmë një të ardhme ku Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e familjes së BE-së

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu tha të enjten se duhet të ndërtojmë një të ardhme ku Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e familjes së BE-së.

Në një deklaratë me rastin e Ditës së Evropës, Bregu tha se të dhënat ende të papublikuara të edicionit të ri të Barometrit Ballkanik  fatkeqësisht tregojnë një rënie të mëtejshme e të thellë të mbështetjes së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor ndaj anëtarësimit në BE. Ndër 54% të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që mbështesin anëtarësimin në BE, ndjenja ende mbetet kryesisht e favorshme në të gjithë rajonin”.

Por, theksoi Bregu, “një rënie prej tetë pikësh që nga viti 2021 është një kujtesë e fortë e frustrimeve që shumë ndjejnë për ritmin e ngadaltë të përparimit, si dhe një thirrje për veprim. Përqindja e atyre që mendojnë se anëtarësimi në BE nuk do të ndodhë kurrë ka rënë me 5%, nga 23 në 18 për qind. Pra, optimizmi ekziston, por vjen më me vështirësi”.

“Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë gjatë dy dekadave të fundit. Por zhvillimi i potencialit të rajonit do të kërkojë burime të reja dinamizmi dhe transformimi për të kapërcyer sfidat e thella sociale, institucionale dhe mjedisore. E kjo nuk ka të bëjë vetëm me paratë dhe tregun, ka të bëjë me vlerat: demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut”, shtoi Bregu.

“Kështu që në këtë Ditë të Evropës, le të mos tundim vetëm flamuj apo të shikojmë fishekzjarre. Le të angazhohemi për punën e vështirë të reformës, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një të ardhme ku Ballkani Perëndimor nuk është thjesht një mysafir në festë, por pjesë e familjes. Evropa e fokusuar te njerëzit, e cila është e adaptueshme, e reformuar, e rigjallëruar dhe gjithëpërfshirëse, me Ballkanin Perëndimor të integruar fort, përfaqëson investimin optimal në paqe dhe siguri për të gjithë kontinentin”, nënvizoi Bregu.

“Ndërsa Evropa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, kush prej nesh që nuk mund të votojnë u shprehin urimet tona më të mira evropianëve përparimtarë, të përgjegjshëm, të cilët do të hedhin votën e tyre jo vetëm për veten e tyre, por edhe për ne. Ne, që jemi jashtë përqafimit, shikojmë me shpresë që e ardhmja e Evropës të shpaloset pozitivisht pavarësisht paaftësisë sonë për ta formësuar atë drejtpërdrejt”, theksoi Bregu.

Ndaj, vijoi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, “bashkëkombësit e mi evropianë i kushtojnë një mendim pozitiv dhe një votë të gjithë atyre që si në tekstin e “Odës së Gëzimit” këndojnë: “Të dehur nga zjarri guxojmë të hyjmë, i Shenjtë, brenda faltores tënde”. Gëzuar, për një Evropë më të fortë, më të bashkuar!”.

/ rtsh.al /