RTSH 24 Live

Botë

Blinken: Armëpushimi është në dorë të Hamasit, ata duhet ta pranojnë me shpejtësi

29/04/2024

Blinken: Armëpushimi është në dorë të Hamasit, ata duhet ta pranojnë me shpejtësi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi të hënën Hamasit që të pranojë me shpejtësi propozimin e Izraelit për një armëpushim në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga grupi militant palestinez.

Negociatorët e Hamasit pritej të takonin ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit në Kajro të hënën për të dhënë një përgjigje ndaj propozimit me faza të armëpushimit që Izraeli paraqiti në fundjavë.

“Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht, jashtëzakonisht bujar nga ana e Izraelit”, tha Blinken në një takim të Forumit Ekonomik Botëror në kryeqytetin saudit Riad.

"E vetmja gjë që qëndron mes popullit të Gazës dhe armëpushimit është Hamasi. Ata duhet të vendosin dhe duhet të vendosin shpejt," tha ai. "Unë shpresoj se ata do të marrin vendimin e duhur."

Një burim i informuar mbi bisedimet tha se propozimi i Izraelit përfshinte një marrëveshje për lirimin e më pak se 40 nga afërsisht 130 pengjet që besohet se mbahen ende në Gaza në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael. Sipas Sekretarit Blinken të gjitha këto tema janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, por:

“Nuk duhet pritur arritja e një armëpushimi për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë. Presidenti Biden ka këmbëngulur që Izraeli të ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar vuajtjet e civilëve dhe të shtojë sigurinë për punonjësit e organizatave humanitare në Gazë”, tha Blinken në Riad, ndërsa merrte pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.

Gjatë këtij takimi, kryeministri i Katarit theksoi nevojën për zgjidhje paqësore për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve rajonale.

“Përshkallëzimi ushtarak së fundmi në rajonin e Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duhet bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve përmes mjeteve paqësore dhe diplomatike”, tha Kryeministri Al Thani.

Përgjigja e Hamasit mund të jepet të hënën gjatë takimit që negociatorët e grupit militant palestinez do të mbajnë me ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit në Kajro. Nëse Hamasi nuk e pranon marrëveshjen e armëpushimit, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin më jugor të Gazës, Rafah.

Në Arabinë Saudite, Sekretari Blinken e përsëriti kundërshtimin e qeverisë amerikane për një sulm tokësor në Rafah “në mungesë të një plani izraelit për të siguruar mbrojtjen e civilëve”.

Izraeli këmbëngul që katër batalionet e fundit të paprekura të Hamasit janë strehuar në Rafah, ku janë mbledhur edhe qindra mijëra palestinezë që janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës. Reuters

/rtsh.al/