RTSH 24 Live

Kosova

Biden urdhëron sulmin e parë ushtarak

26/02/2021

Biden urdhëron sulmin e parë ushtarak


Me urdhër të presidentit Joe Biden, Amerika sulmoi mbrëmjen e së enjtes vendqendrimet e grupimeve ekstremiste të mbështetura nga Irani në Siri. Lajmin e konfirmoi për mediat zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby.  “Goditjet u autorizuan në përgjigje të sulmeve të fundit kundër personelit amerikan dhe të koalicionit në Irak dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj atij personeli”, tha ai. Kjo goditje ishte si një mesazh nga administrata amerikane, por që ishte e kufizuar për mos të përshkallëzuar tensionet në rajon. Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se operacioni u zhvillua në përgjigje të sulmeve me raketa, që u kryen në fillim të këtij muaji në një bazë irakiane, që strehonte trupat e SHBA-së dhe të koalicionit. Pentagoni e cilësoi aksionin si një “përgjigje proporcionale ushtarake”, që u mor “së bashku me masat diplomatike”, përfshirë konsultimin me partnerët e koalicionit. “Operacioni dërgon një mesazh të qartë: presidenti Joe Biden do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit”, tha Pentagoni. Sipas deklaratës, sulmet goditën “objekte të shumta” në një pikë kontrolli në kufirin Siri-Irak, që përdorej nga disa grupe të milicive të mbështetura nga Irani, përfshirë grupet irakiane shiite Kaitib Hizballah dhe Kaitib Sayyid al-Shuhada.