RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi: Refuzoni çdo kërkesë të PD për interpelancë, keni frikë. Çuçi: S’ka asgjë urgjente

02/05/2024

Bardhi: Refuzoni çdo kërkesë të PD për interpelancë, keni frikë. Çuçi: S’ka asgjë urgjente

Interpelanca urgjente e thirrur nga PD për kryeministrin Edi Rama lidhur me akuzat e emisionit të Rai3, ka nxitur debatet që në nisje të seancës së Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se PS refuzon çdo kërkesë për interpelancë që bën PD, ndërsa shton se mazhoranca po tenton të heq mekanizmin që opozita ka për kontrollin e punës së qeverisë.

Refuzimi i kërkesës për interpelancë për Bardhin është shenjë që kryeministri Rama ka frikë të japë llogari para Kuvendit.  Por për kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi tha se kjo interpelancë nuk ka asgjë urgjente dhe se bie ndesh me rregulloren e Kuvendit.

“Ju po e bëni rrugë që kërkesat për interpelancë të PD një pjesë i fusni në sirtar nga ana tjetër kërkesat për Ramën nuk ia njoftonin seancën plenare për çdo kërkesë për interpelancë që vjen. PD në përputhej me rregulloren ka kërkuar një interpelancën urgjente që duhet të ishte pikë e parë në këtë seancë me kryeministrin mbi ndërhyrjen skandaloze që ka bërë në lirinë e  medias përmes presioneve për një televizion shtetëror italian, ju na informoni në konferencën të kryetarëve që keni vendosur ta refuzoni. Sa herë thirret Rama për llogaridhënie ju të gjithë refuzoni se ai u ka dhënë mesazhin se ka frikë të vij në Kuvend”, tha Bardhi.

“Në Konferencën e kryetarëve ju dhamë arsye pse ajo interpelancë nuk mund të mbahet dhe për më tepër në mënyrë urgjente. Nuk është çështje për interpelancë sipas rregullores dhe nuk ka asgjë urgjente ku dhe vetë Rai ka shtyrë emisionin. Është njoftuar dhe është marrë vendimi që nuk ka vend për interpelancë të tillë, të paktën urgjente”, tha Çuçi.

Më herët edhe kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesën e Gazmend Bardhit për interpelancë në Kuvend në lidhje me emisionin e Rai3 dhe ndërhyrjet e kryeministrit në median italiane.

Rama tha se kjo çështje nuk ka urgjencë dhe se fillimisht duhet të merret me “mbrojtjen e  dinjitetit të Shqipërisë nga shpifjet që janë gatuar nga opozita këtu në Tiranë dhe i serviren Italisë”.  

/rtsh.al/