RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i zyrtarëve të IMT-së në Kurbin, lejuan ndërtimin pa leje të një kompleksi në Patok. Sekuestrohen 13 subjekte inertesh

30/04/2024

Arrestimi i zyrtarëve të IMT-së në Kurbin, lejuan ndërtimin pa leje të një kompleksi në Patok. Sekuestrohen 13 subjekte inertesh

Prokuroria e Lezhës ka vënë në sekuestro preventive një kompleks në zonën e Patokut si ndërtim pa leje si dhe 13 kompani inertesh pasi gërryenin në shkelje të ligjit shtratin e  lumit Mat.

Këto sekuestro kanë ndodhur në kuadër të arrestimeve të mëparshme të  zyrtareve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kurbin dhe ish drejtorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, Flori Gjini.

Konkretisht një kompleks në pronësi të Gëzim Çelës në zonën e Patokut, rezulton se është pa leje ndërtimi pasi u konstatuan mangësi në dokumentacion. Kjo ka bërë që  kompleksi “Royal Blue” të vendoset në sekuestro preventive. Emri i Gëzim Çelës është i njohur për autoritetet si një person i përfshirë në trafikun e  drogës.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi, 13 subjekte që marrin inerte në lumin Mat u vunë nën sekuestro preventive, pasi kanë rezultuar pa dokumentacion dhe po hetohet ndaj inspektorëve që nuk kanë kryer kontrollin.

Detajet nga hetimet e prokurorisë

Në rastin e ndërtimeve ne Patok, kjo ka ardhur me indicie, pasi ishte dërguar në gjykatë një i moshuar që po bënte shtesë dhe në seancën gjyqësore ka deklaruar se ndërhyrja e tij ishte mjaft e vogël, krahasuar me atë që po ndodhte në zonë.

Për këtë arsye Prokuroria nisi hetimet që zgjatën rreth 6 muaj dhe pas verifikimeve rezultoi se nuk kishin leje dhe për pasojë një subjekt, lokal, ka kaluar në sekuestro preventive dhe vijojnë hetimet.

Ky objekt po ndërtohet në rrugën kryesore të Patokut dhe e bën krejt të ekspozueshëm për inspektorët që duhet të kishin ndërhyrë.

Ky fakt ka bërë që të nisin hetimet ndaj zyrtarëve të IVMT dhe IKMT për “shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer kontrollin në territor, sidomos në një zonë të mbrojtur.

/rtsh.al/