RTSH 24 Live

Aktualitet

"Arrest në burg" për burrin e 41-vjeçares që u vetëhelmua: I thashë 'mos u mërzit për fotot'! Prokuroria: E çoi në vetëvrasje

08/01/2024

"Arrest në burg" për burrin e 41-vjeçares që u vetëhelmua: I thashë 'mos u mërzit për fotot'! Prokuroria: E çoi në vetëvrasje

Gjykata e Durrësit vendosi të hënën masën "arrest në burg" për Xhemal Lokën, burrin e 41-vjeçares që më 3 janar u vetëhelmua për vdekje në kushte të rënduara psikologjike.

Masa u kërkua nga Prokuroria, e cila ka dyshime se i pandehuri Loka mund ta ketë "çuar të ndjerën në vetëvrasje". Pas kërkimeve në banesë, në pronësinë e tij u gjetën edhe armë e municion pa leje, duke e vështirësuar më tej pozitën e tij juridike.

"Nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga këqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë çuar të ndjerën në vetëvrasje.

Gjithashtu, bazuar në këtë dinamikë të evidentimit të faktit penal të ndodhur, më datë 06.01.2024, është këqyrur banesa e familjes Loka, ku rezultoi se 'në kotecin e pulave në anën jugore të  banesës ... gjendet e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatike 'PPS', me krehër, pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt, me numër arme “89-0579', si dhe 'në këtë vend janë gjetur 114 copë fishekë, model '54, kalibër 7,62mm dhe 4 katër fishekë model '56, kalibër 7,62mm', të cilat, pasi u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t'iu nënshtruar ekzaminimit teknik balistik," theksoi Prokuroria e Durrësit.

Përballë prokurorit Ilir Hoxha dhe gjyqtarit Paulin Çera, avokati i Lokës nuk u pajtua me masën e arrestit:

"Nuk jemi dakord për arrest me burg, pasi e vetmja provë janë deklarimet e të afërmve dhe familjarëve te viktimës. Xhemal Loka jetonte 90 për qind të kohës jashtë shtetit. Vetë Bedria ka udhëtuar drejt Greqisë për të qenë më afër familjes. Debatet familjare kanë qenë edhe për shkak të shtresës sociale. Po të kishte dhunë do të ishte bërë një kallëzim, por asnjë rast i tillë nuk është depozituar. Ndaj i kërkojmë gjykatës një masë lehtësuese, siç është ajo e 'detyrim paraqitje'. E ndjera kur është përmendur në spital ka kërkuar familjen e vajzës së madhe dhe bashkëshortit për veprimet e saja. Gjendja emocionale e saj ka ardhur vetëm pas hapjes së adresës në TikTok."

Loka ishte i pranishëm në seancë dhe sqaroi disa nga detajet mbi kontot false që të panjohurit hapnin në TikTok, për të denigruar bashkëshorten e tij:

"I kam thënë nuses 'mos u mërzit për fotot, sepse dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë'. Kur i nxorën foton e dytë nuses i thanë 's'kemi mbaruar punë akoma'. Edhe mua më kanë marrë në telefon persona që s'i njoh, duke ofenduar nusen. Debate kemi bërë, por kurrë s'e kam dhunuar nusen. Kur u përmend në spital i thashë 'pse e bërë këtë veprim'. Më tha 'kam qenë shumë e mërzitur'."

Prokurori Hoxha shtoi se në deklarimet e tij më 5 janar, Xhemal Loka ka deklaruar se ngjarja ndodhi për shkak të një adrese në TikTok. 

"Pandelin Bushi, i vëllai viktimës, deklaron se motra e tij është dhunuar dhe ka pirë helm për shkak të marrëdhënies së keqe. Ashtu sikurse edhe vëllezërit e tjerë, të cilët kanë dhënë deklarata që nuk kanë pasur një marrëdhënie normale, por dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht. Njëri nga fëmijët ka deklaruar se kanë pasur gjithmonë debate. Babi i ka thënë që do të të bëj të vrasësh veten. Vajza tha se ndjehej e lodhur nga gjithçka. Edhe dy të miturit kanë dëshmuar për dhunë, ndaj kjo ngjarje është shkaktuar nga sjellja e bashkëshortit. Në celularin e Xhemalit janë gjetur edhe video e audio kërcënuese," përfundoi prokurori Hoxha.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/