RTSH 24 Live

Europë

Analizë e “Wall Street Journal”: Çfarë pasojash sjell fitorja e Rusisë në Ukrainë?

20/04/2024

Analizë e “Wall Street Journal”: Çfarë pasojash sjell fitorja e Rusisë në Ukrainë?

Ndërsa vazhdon lufta në Lindjen e Mesme, lufta e Ukrainës ka rrëshqitur disi nga titujt kryesorë të mediave. E megjithatë, përpjekjet e saj për mbijetesë vazhdojnë, dhe siç pashë gjatë vizitës time të fundit atje, forcat e saj gjenden në një pozitë gjithnjë e më të rrezikshme përballë pushtuesve rusë.

Një ndjenjë e dukshme e ankthit midis zyrtarëve ukrainas, e ka zëvendësuar tashmë optimizmin e viteve 2022 dhe 2023. Për të kuptuar se çfarë është në rrezik, ne duhet të vlerësojmë se si mund të ndodhë një fitore e Rusisë në këtë luftë dhe çfarë domethënie do të kishte për botën e lirë një rezultat i tillë.

Mënyra më e dukshme se si mund të triumfojë ushtria e Vladimir Putin, është duke thyer linjat mbrojtëse të Ukrainës, duke e dërrmuar ushtrinë e saj dhe duke pushtuar Kievin. Edhe pse një mision i vështirë, kjo ka të ngjarë të jetë strategjia e Rusisë, e cila varet nga përdorimi i forcës brutale në një fushatë të ashpër që do të rraskapitë forcat ukrainase duke i detyruar njësitë që të shpërndahen.

Po ashtu Moska synon të shkatërrojë industrinë ukrainase të mbrojtjes dhe të dëmtojë moralin e shoqërisë ukrainase. Një element kyç i kësaj përpjekjeje do të ishte goditja e mbrojtjes ukrainase me artileri, dronë, raketa balistike dhe lundruese si dhe bomba rrëshqitëse. Diçka e tillë po ndodh tashmë.

Që nga muaji mars, forcat ruse i kanë goditur linjat ukrainase me artileri, mesatarisht me 44 bomba rrëshqitëse dhe 77 dronë në ditë, më thanë zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas. Po ashtu, Rusia ka të ngjarë të vazhdojë të përshkallëzojë fushatën e saj ajrore, raketore dhe të dronëve për të shënjestruar objektet e prodhimit të armëve, instalimet ushtarake dhe rrjetin elektrik të Ukrainës, duke e ndërprerë aftësinë e saj për të bërë luftë.

Dhe kjo ka vazhduar për muaj të tërë. Për të përfituar nga përparimet e saj në terren, ushtria ruse do të synonte të thyente moralin e ukrainasve duke ndëshkuar pa mëshirë qytetet e tyre. Sulme të tilla do të plotësoheshin me një fushatë propagandistike agresive për t’i bindur civilët se SHBA dhe Evropa i kanë kthyer kurrizin dhe se disfata e tyre është e pashmangshme.

Pas dobësimit të mbrojtjes dhe moralit të Ukrainës, forcat tokësore ruse do të godasin linjat e drobitura ushtarake ukrainase me forca të blinduara dhe të këmbësorisë, të mbështetura nga raketa, dronë dhe fuqi ajrore. Në fillim ajo mund të pushtojë qytetet më afër vijës së frontit, si Slovyansk, Kupyansk dhe Kramatorsk.

Pastaj pushtimi i Kievit do të ishte vetëm çështje kohe. Ushtria ruse po përparon tashmë në disa akse, përfshirë rreth Siversk dhe Bakhmut në lindje dhe Robotyne dhe Verbove në jug. Sipas zyrtarëve ushtarakë, shumica e brigadave luftarake ukrainase kanë të paktën 50 për qind mangësi në trupa dhe armatime.

Rusia po përdor në një mënyrë më efektive kolonat e blinduara kundër mbrojtjes në disa zona, si në rajonin e Donetsk, për shkak të mungesës së artilerisë ukrainase. Po ashtu, Moska po përgatitet të mobilizojë 300.000 ushtarë të tjerë që disa zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë besojnë se mund të përdoren për një fushatë të madhe sulmuese në fund të verës apo fillim të vjeshtës.

Bilanci ushtarak e favorizon Rusinë. Forcat e saj kanë një avantazh të rëndësishëm në trupa dhe një avantazh 7 me 1 në fuqinë e zjarrit, sipas vlerësimeve që bën vetë Ukraina. Kjo pjesërisht për shkak të ankthit të Perëndimit në ofrimin e ndihmës, që i ka penguar forcat ukrainase të pajisen me artileri, avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Me ndihmën e Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, Rusia e ka rigjallëruar bazën e saj industriale të mbrojtjes. Sasia ka një cilësi të vetën. Në rast se forcat ruse nuk mund të marrin dot Kievin, ato mund të pushtojnë më shumë territore në lindje dhe jug.

Ushtria ruse mund të pushtojë pjesën e mbetur të rajonit të Luhanskut dhe të përparojë drejt perëndimit për të marrë territore në rajonet e Kharkiv dhe Donetsk. Në jug, ushtria ruse mund të përparojë në rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson, duke rimarrë qytetin e Khersonit.

Një fitore e pjesshme e ushtrisë ruse do të krijonte një shtet ukrainas me një ekonomi të rrënuar, ndërsa Rusia mund të forcohet me burime më të mëdha natyrore, fuqi industriale dhe asete bujqësore. Që nga janari i këtij viti, ajo ka pushtuar tashmë më shumë se 360 km 2 territor shtesë, një zonë afërsisht sa madhësia e Las Vegasit.

Një fitore e ushtrisë ruse do të shkaktonte valë tronditëse në të gjithë globin, do të ngjallte oreksin e aleatëve të saj në Kinë dhe Iran, dhe do të shkatërronte besueshmërinë dhe strategjinë frenuese të SHBA-së dhe NATO-s. Po ashtu ky skenar do të inkurajonte gjithashtu më tej Vladimir Putinin, i cili e sheh veten si Pjetri i Madh i kohëve moderne.

Ndërkaq në rrezik serioz do të ishin Polonina, Moldavina, Gjeorgjia, shtetet baltike dhe aleatët dhe partnerët e tjerë të SHBA-së në kufi me Rusinë. Disa qeveri të Evropës Lindore kanë filluar tashmë të diskutojnë opsionet e emergjencës në rastin e fitores së Moskës.

Ato po harrojnë planet për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe raketore, për të dërguar më shumë trupa dhe pajisje shtesë në krahun lindor të NATO-s si dhe për të blerë sisteme më të avancuara armësh. Nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian do të përballet me një katastrofë humanitare me miliona ukrainas të tjerë që derdhen përtej kufijve të tij.

Por një fitore e Rusisë nuk është diçka e pashmangshme. Ushtria ruse nuk ka fituar një luftë tradicionale që nga Lufta e Dytë Botërore. Për më tepër forcat e saj vuajnë nga korrupsioni sistematik, viktima masive dhe paaftësia për të kryer operacione të përbashkëta midis forcave ajrore, tokësore dhe detare.

Por ora e të vërtetës po troket. Pa një strategji të qartë të SHBA-së, dhe pa një furnizim të qëndrueshëm me armë, inteligjencë dhe trajnime perëndimore, Putin mund të dominojë në këtë luftë. Dhe atëherë një botë e rrezikshme do të bëhej papritmas shumë më e madhe.