RTSH 24 Live

Aktualitet

AFP reportazh për Muzeun e Ushtrisë: Hedh dritë mbi të kaluarën komuniste të Shqipërisë

10/05/2024

AFP reportazh për Muzeun e Ushtrisë: Hedh dritë mbi të kaluarën komuniste të Shqipërisë

Tashmë nuk është risi që Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën. Këtë herë kureshtjen e ka marrë Muzeu i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili u hap vitin e kaluar në Berzhitë, të cilit agjencia prestigjioze franceze e lajmeve AFP i ka kushtuar një reportazh.

Muzeu ndodhet në të dalë të kryeqytetit dhe hedh dritë mbi të kaluarën e trazuar të vendit ballkanik dhe sesi ai u nda nga e kaluara e tij mbi 40-vjeçare komuniste - shkruan AFP.

Të gjitha objektet  që ndodhen në muze kanë një rëndësi të veçantë për kujtesën e ushtrisë shqiptare dhe historinë e vendit. Është një hapësirë ​​publike e cila tregon historinë politike të vendit përmes historisë së ushtrisë shqiptare,” thotë për agjencinë, drejtori Arben Skënderi.

Muzeu i Ushtrisë Shqiptare në Berzhitë, pranë kryeqytetit Tiranë, shfaq gjithçka, nga tanket sovjetike dhe silurhedhësit kinezë deri te armët e prodhuara në  vend dhe flamujt e NATO-s," shkruan AFP, e cila kujton se vendi ynë është quajtur "Koreja e Veriut e Europës” për shkak të izolimit të tij nga diktatori komunist Enver Hoxha.

Vendi përqafoi Perëndimin pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990 dhe, 30 vjet më vonë, është pjesë e NATO-s dhe shpreson të bëhet anëtar i Bashkimit Europian,” shkruan AFP.

Muzeu i Forcave të Armatosura u hap dhjetorin e kaluar. Ai është i ndarë në 5 pavione të veçanta në një hapësirë prej 100 mijë metrash katrorë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/