RTSH 24 Live

Aktualitet

Abuzoi seksualisht me një të mitur, prangoset në Britaninë e Madhe, Denis Havalja

02/05/2024

Abuzoi seksualisht me një të mitur, prangoset në Britaninë e Madhe, Denis Havalja

8 vjet më parë, Denis Havalja, u akuzua se kishte abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur 13 vjeçare. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në Bulqizë.

Pas ngjarjes, Havalja kishte mundur të largohej jashtë vendit, duke ju fshehur drejtësisë. Emri i tij ishte edhe në listën e personave më të kërkuar të shpallur nga Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana.

Pas vite kërkimesh, Interpol Tirana ka mundur ta zbulojë vend ndodhjen e Havales në Britaninë e Madhe. Kaq ka mjaftuar që policia londineze ta prangosë atë për llogari të drejtësisë shqiptare.

Falë shkëmbimit në kohë të informacioneve, arrestohet në Mbretëri të Bashkuar, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 38-vjeçar i cili në vitin 2016, kreu marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur. Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, koordinimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u arrestua provizorisht, në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi Denis Havalja alias Dashamir Havalja, 38 vjeç, lindur në Bulqizë.”, njofton policia.

38-vjeçari është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në vitin 2016, ka marrë në një automjet me targa angleze, një shtetase të mitur, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale.

“Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 10 muaj burgim. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri,” njofton Intepol Tirana.

 Ngjarja

Policia e Bulqizës ka prangosur sot 30 vjeçarin Denis Havalja, pasi ai akuzohej se ka abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur 13 vjeçare. Sipas të dhënave të para, 30- vjeçari përmes përdorimit të forcës, e ka marrë 13- vjeçaren dhe e ka dhunuar seksualisht.

Sapo kjo e fundit ka mundur të largohet nga Havalja, ajo ka rrëfyer gjithçka tek prindërit e saj. Këta të fundit bënë më pas kallëzimin në policinë e Bulqizës, e cila bëri të mundur edhe kapjen dhe shoqërimin e Havales në polici.

“Më datë 29.02.2016 nga specialistët për krimet në Komisariatin e Policisë Bulqizë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit : Denis Havalja, 30 vjeç, banues në fshatin Cërruj Bashkia Klos Mat. Arrestimi i tij u bë pasi, në vendin e quajtur "Fushë Bulqizë" ka marrë në automjetin e tij tip "Range-Rover" me targa të huaja T 357 JDP shtetasen me inicialet M.D, 14 vjeçe, ku dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale "Marrëdhënie seksuale me të mitur", "Drejtim automjeti pa dëshmi përkatëse", parashikuar nga nenet 100 dhe 291 të Kodit Penal.”, njoftonte policia.

Denis Havalja nga ana e tij moho gjithçka. Ai u tha ekspertëve të policisë që i vunë prangat se prej një muaji kishte në lidhje dashurie, me dëshirë, me nxënësen dhe gjithçka ka ndodhur me vullnetin e saj.

Pavarësisht pretendimeve, drejtësia e ka dënuar Havalen me 5 vite burg, nga të cilat ai do të bëjë 2 vjet e 10 muaj.

/rtsh.al/