RTSH 24 Live

Aktualitet

60 mln lekë dëm shtetit me skema mashtruese, Prokuroria kërkon burg për 2 persona, detyrim paraqitje” për 5

10/05/2024

60 mln lekë dëm shtetit me skema mashtruese, Prokuroria kërkon burg për 2 persona, detyrim paraqitje” për 5

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masa shtrënguese për 7 persona, mes tyre edhe ish specialisti pranë QKB-së Vlorë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një skemë mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar. Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se këta persona kishin krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksioner administrator dhe pjesëtar bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Gjermania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.

Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200 milionë lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60 milionë lekë.

Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar. Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë. Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat pagesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara. Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit”, njofton Prokuroria.

Ish-specialisti pranë QKB-së Vlorë, personi me inicialet A. D, dyshohet se ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtare, me status shoqëri aksionere. Ndërsa personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç., ekonomist, ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpërmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).

Prokuroria ka kërkuar:

1-Caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg” për personin nën hetim A.Ç.

2-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nen hetim A.A.

3-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të për personit nën hetim M.L.

4-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim R.R.

5-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim F.D.

6-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim A.A.

7-Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” për personin nën hetim A. D.

/rtsh.al/