RTSH 24 Live

Kulturë

“Vaj si kenka ba dynjaja” në versionin pop - elektronik, “Shkodra Elektronike” rikthen këngën shekullore

20/04/2023

“Vaj si kenka ba dynjaja” në versionin pop - elektronik, “Shkodra Elektronike” rikthen këngën shekullore

Dyshja e veçantë e muzikës “Shkodra Elektronike” sapo ka prezantuar projektin e ri muzikor “Vaj si kenka ba dynjaja”. Kjo është një këngë e vjetër shkodrane, të cilën Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji e kanë risjellë në kohë. Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Laca tregon se pavarësisht kohës kur kënga origjinale është shkruar, ajo mbetet aktuale. “Kënga ka të paktën një shekull. Është bashkëkohore që nga tematika që trajton, emigracioni. Ky problem vijon të jetë dhe nuk ka ndryshuar asgjë, për fat të keq. Edhe nga ana melodike kjo këngë na duket bashkëkohore.”

Kënga “Vaj si kenka ba dynjaja” ka një histori në kohën kur u krijua. “Këtë këngë e ka shkruar Ndrekë Vogli. Kam lexuar një libër të Isa Alibalit dhe historia është interesante. Legjenda tregon se një shok fëmijërie i Voglit, i cili emigroi në Turqi në fillim të shekullit XX, i shkruan një letër ku i tregon për hallet e jetës në emigrim. Vogli është prekur prej letrës dhe ka shkruar këtë këngë. Pas shumë vitesh janë takuar. Shoku i tij e falënderoi sepse kur e kishte dëgjuar në një inçizim gramafoni, i kishte shkuar mendja se kënga mund t’i ishte kushtuar atij.”

Kënga është sjellë në ritmet pop-elektronike, karakteristikë e krijimeve të dyshes së talentuar, duke bërë bashkë traditën me modernen. Po përse kanë zgjedhur të prezantohen në këtë mënyrë? “Ideja jonë ka qenë të realizojmë këngë pop, por të bazuar te tradita jonë.” – shpjegon Laca. “E gjithë muzika pop apo rock në përgjithësi, është e bazuar në traditën e secilit vend. Muzika amerikane që dëgjojmë vjen prej traditës amerikane, blues-i është muzikë popullore. Muzika italiane, pavarësisht se mund të jetë moderne, bazohet te tradita e muzikës italiane.”

Në morinë e këngëve që kanë shkruar, Gjergji tregon se kënga “Vaj si kenka ba dynjaja” u dha më shumë emocione. Për këtë arsye menduan që ta publikojnë, shoqëruar edhe me një videoklip i cili është xhiruar në Shqipëri. “Edhe vendi ku është xhiruar videoklipi ka një domethënie, në Panaja të Vlorës, aty nga ku niseshin skafistët dhe emigronin shqiptarët në vitet 1990.” 

Shkodra Elektronike” është projekti muzikor i dy emigrantëve shqiptarë nga Shkodra. Leka ka emigruar në Itali në vitin 1992 ndërsa Beatriçe në vitin 1997. Edhe pse jetojnë në distancë, kjo nuk i ka ndaluar artistët të bashkojnë forcat për artin e tyre. Ata kanë realizuar mjaft koncerte. “Kur erdhëm në Shqipëri në dhjetor bëmë disa koncerte dhe reagimi i publikut ishte një surprizë e madhe për ne, sidomos në Prishtinë. Nuk e prisnim që të kishim gjithë atë publik në koncerte. Para disa ditësh një vajzë na shkroi në Instagram, e cila na pyeti se kur do të shkojmë në Londër sepse dhe aty kemi një bazë fansash.”

Një prej sukseseve të dyshes është edhe autorësia e këngës “E jemja nuse” të kënduar nga Rezarta Smaja, fituese e çmimit të tretë në Festivalin e 60-të të Këngës në RTSH.

/rtsh.al/