RTSH 24 Live

Sociale

“Art dhe Aktivizëm”-Prona e sekuestruar e ish prokurorit Llalla shndërrohet në një sipërmarrje sociale

06/03/2024

“Art dhe Aktivizëm”-Prona e sekuestruar e ish prokurorit Llalla shndërrohet në një sipërmarrje sociale

Deri para pak kohësh ishte pronë e sekuestruar e një zyrtari të lartë shtetëror, ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, tashmë është kthyer në një qendër për sipërmarrjen sociale.

Një apartament me mbi 60 metra katrorë, me një pamje të mrekullueshme nga plazhi i Durrësit është selia e re e qendrës "Art & Aktivizëm" ku artistët e rinj kanë në dispozicion një hapësirë dinamike për të zhvilluar krijimtarinë artistike.

“Ne mirëpresim të gjithë artistët e rinj, të cilët duan të promovojnë punën e tyre por gjithashtu të krijojnë krijime të bukura do t’i promovojmë te bizneset e zonës, te qytetarët me synimin për të arritur një vlerë ekonomike dhe sociale“, tha Livia Kreko nga qendra "Art & Aktivizëm".

Piktura, skulptura, penela, bojëra vaji dhe punime artizanale i gjen ngado në ambientet e kësaj qendre. E hapur nga 09.00-17.00, qendra synon t'u ofrojë shërbim jo vetëm të rinjve dhe qytetarëve durrsakë, por edhe shtetasve të huaj dhe organizatave jo qeveritare.

“Ne ofrojmë edhe ambientin e hapur për çdo organizatë biznes apo institucion që do të zhvillojë një takim apo bëjë një aktivitete informues, ku kapacitetet tona janë deri në 20 persona”, tha Kreko.

Pak ditë më parë, në përurimin e qendrës "Art & Aktivizëm" ishte i pranishëm edhe ministri i brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga kreu i Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/