RTSH 24 Live

Sociale

Tragjedia në Shkodër dyshohet se u shkaktua nga dhuna në familje, psikologia thirrje grave: Kërkoni ndihmë

06/05/2024

Tragjedia në Shkodër dyshohet se u shkaktua nga dhuna në familje, psikologia thirrje grave: Kërkoni ndihmë

Ka ende paqartësi lidhur me ngjarjen tragjike të regjistruar në Shkodër, ku ditën e djeshme (5 maj) u gjet i pajetë në lumin Buna trupi i një vajze 9 vjeçe, teksa dyshohet se të njëjtin fat kanë patur edhe nëna e saj sëbashku me dy fëmijët e tjerë të moshës 8 dhe 3-vjeçare.

Paraprakisht dyshohet se ata janë vetëmbytur, veprim i ndërmarrë, sipas policisë, për shkak të dhunës që ushtronte babi i tyre, 31-vjeçari Ergys Arrazi. Ngjarja ka shokuar opinionin publik, teksa psikologia Eriona Hoxha, në studion e RTSH 24, folur lidhur me pasojat e rënda të dhunës në familje.

Duke bërë thirrje që të mos aludohet rreth kësaj ngjarje, deri sa të zbulohen rrethanat si ka ndodhur, Hoxha dha edhe një mesazh për gratë që mund të jenë duke përjetuar dhunë fizike apo psikologjike që të kërkojnë ndihmë.

Nëse ka qenë e tillë që kjo nënë ka kapur për dore fëmijët dhe është hedhur bashkë me të është shumë e dhimbshme të mendosh që po i shpëton fëmijët në këtë mënyrë. Kjo do të ishte thirrja dhe mesazhi që absolutisht se çfarë ndodh, duhet të kërkojnë ndihmë, edhe nëse dalin 9 veshë të shurdhët, do të dalë patjetër një vesh i 10-të që do i dëgjojë. Duhet t’i drejtohen policisë dhe të gjitha linjave që ekzistojnë. Nuk mund të kemi punonjës social që rrinë këmba mbi këmbë në zyrë dhe nuk bëjnë asgjë në lidhje me këto raste. Punonjësit socialë dhe psikologët duhet të dalin t’i shkojnë rastet që kanë, të hulumtojnë edhe mbi ato raste që kanë urdhër mbrojtje sepse ka ndodhur që pas një urdhri mbrojtje ka patur një ngjarje tragjike”, u shpreh psikologia.

/rtsh.al/