RTSH 24 Live

Art

I jepet lamtumira e fundit Ali Osekut! Begaj: Artist antikoformist, solli modernizmin në Shqipërinë e izoluar

03/04/2024

I jepet lamtumira e fundit Ali Osekut! Begaj: Artist antikoformist, solli modernizmin në Shqipërinë e izoluar

Familjarë, miq dhe dashamirës së artit të tij i dhanë sot lamtumirën e fundit “Nderit të Kombit” piktorit Ali Oseku, i cili u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Në Akademinë e Arteve u mbajtën homazhet duke kryer respektet e fundit ndaj piktorit të njohur shqiptar. Edhe presidenti Bajram Begaj ka dërguar një kurorë lulesh në homazhet e lamtumirës për piktorin Ali Oseku , si dhe i shprehu ngushëllime  vajzës së artistit përmes një telegrami.

“E nderuar Alis,

Lajmi i ndarjes nga jeta i piktorit Ali Oseku,  “Nderi i Kombit”, ka prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve.Të gjithë ne do ta kujtojmë si mjeshtrin e  dritës, qetësisë sublime, që me veprat e tij antikoformiste solli në Shqipërinë e izoluar modernizmin në art. Ali Oseku, artisti rezistent përballoi burgosjen politike,  vetësakrifikoi veprat e tij dhe  me durim dhe vullnet u ringrit në majat e artit figurativ shqiptar.  Ali Oseku na tregoi përmes veprave të tij dritën që nuk e shihnim, dhe burrërinë që duhet të kishim për ndryshimin e Shqipërisë. Pranoni ju lutem ngushëllimet e mia të sinqerta! Ali Oseku u prehtë në paqen e dritës!” shkruan Begaj.

Ali Oseku u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ai ishte një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit.

Në vitet 1973 në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas viteve '90 ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase dhe është konsideruar si një nga emrat më të mëdhenj të arteve figurative.

Gjatë tri dekadave të fundit, Ali Oseku ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit.

/rtsh.al/