RTSH 24 Live

Kosovë

Zyrtari i Presidencës së Kosovës: Strukturat kriminale në veri kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës

26/05/2023

Zyrtari i Presidencës së Kosovës: Strukturat kriminale në veri kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës

Shefi i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit, ku hyrja e kryetarëve të rinj të komunave në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok në objektet komunale është shoqëruar me protesta.

Në një postim në Twitter, Vela shkruan se strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës kanë marrë urdhër për përshkallëzim të situatës në terren.

“Strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë në veri të Kosovës kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës në terren. Protestues “paqësor” që përdorin veprime hibride dhe të dhunshme kundër forcave të rendit. Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkruan ai.

Protesta të dhunshme ka patur në tre komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku në Zveçan policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë mediat serbe shkruajnë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka dhënë urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe, që të gjithë shqiptarë, u betuan të enjten (25 maj) në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë, duke marrë kështu pushtetin lokal.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe.

/rtsh.al/