RTSH 24 Live

Europë

Zgjedhjet për Parlamentin Europian, votimet më 6 dhe 9 qershor 2024

17/05/2023

Zgjedhjet për Parlamentin Europian, votimet më 6 dhe 9 qershor 2024

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur që zgjedhjet e ardhshme evropiane të mbahet më 6 dhe 9 qershor 2024. 
Vendimi është bërë i ditur nga Këshilli i BE-së.
Sipas tij qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, për mandatin nga viti 2024 deri në vitin 2029. Numri i deputetëve të Parlamentit Evropian ndahet mes vendeve anëtare, duke pasur parasysh numrin e banorëve të tyre.
Por ka një diskriminim pozitiv, në favor të vendeve më të vogla. 
Asnjë shtet nuk mund të ketë më pak se gjashtë deputetë, sa kanë Malta, Qiproja dhe Luksemburgu, dhe asnjë vend nuk mund të ketë më shumë se 96 deputetë, aq sa ka Gjermania. 
Kjo do të thotë se për t’u zgjedhur deputet në Parlamentin Evropian, një kandidati gjerman, potencialisht i duhen 10 herë më shumë vota, sesa një kolegu të tij në Maltë apo Qipro. 
Pas zgjedhjeve evropiane, pason edhe zgjedhja e Komisionit të ri Evropian, presidentit të Këshillit, dhe funksioneve tjera të larta në institucionet e BE-së. 
Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, u bëri thirrje qytetarëve të BE-së që të dalin në zgjedhje evropiane, të votojnë për kandidatët e tyre dhe të mos lejojnë që dikush tjetër të vendosë në vend të tyre. 
Parlamenti Evropian është shumë i interesuar që të ketë dalje sa më të madhe në këto zgjedhje, pasi prej vitit 1979 - kur janë zhvilluar zgjedhjet - e deri ne vitin 2014, përqindja e atyre që kanë votuar ka qenë vazhdimisht në rënie. 
Në zgjedhjet e vitit 2019, për herë të parë, pas një kohe të gjatë, në zgjedhje dolën mbi 50 për qind e qytetarëve. Por, dallimi ishte shumë i madh, pasi në Belgjikë dhe Luksemburg votuan afër 90 për qind e qytetarëve e në vendet si Sllovakia, Sllovenia dhe Çekia, më pak se 30 për qind. 

/ rtsh /