RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet në PD, Ristani: Basha ka shkelur ligjin dhe statutin e partisë

10/06/2021

Zgjedhjet në PD, Ristani: Basha ka shkelur ligjin dhe statutin e partisë

Të dielën anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë për të zgjedhur kreun PD-së, ku në garë janë kreu aktual që kërkon rikonfirmimin, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Ftabardh Kadilli.

Duke u bazuar në deklarimet e zotit Basha, i cili thotë se misioni i tyre është vetëshërbyes dhe se nuk kanë lindur si një parti për të marrë pushtetin me çdo kusht, ish- sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, thekson se “po kaq drejt duhet të kishte vepruar edhe në parti që të funksiononte si duhet demokracia e brendëshme”.

Zoti Ristani shton se një PD demokratike dhe që respekton statutin e saj, do ishte shembull për çdo organizatë tjetër politike, shtetërore apo të shoqerisë civile. Në një shënim në mediat sociale, Ristani thotë se me shumë keqardhje gara për kryetar e PD-së po zhvillohet pa modalitetin e garës, të përcaktuara në rregulloren e brendshme të PD,  e cila duhet të ishte miratuar nga Këshilli Kombëtar i partisë. Më tej Ristani thekson se shkeljet e ligjit dhe statutit të partisë kanë ndodhur vetëm prej drejtimit të kësaj partie nga Basha.

"Gara blic për zgjedhjen e kryetarit të PD po i afrohet fundit. Me të drejtë, në retoriken e tij gjatë ketyre diteve, kyetari në detyre i PD thotë: "Misioni yne nuk është një mision vetësherbyes. Ne nuk kemi lindur si parti për të marrë pushtetin me çdo kusht e me çdo çmim, si kundershtari ynë. Misioni ynë është të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend". Po kaq drejt do kish vepruar z.Basha, sikur të kishte vendosur edhe veprimtarinë brenda partisë, në legjetimitet dhe demokracia e brendëshme të funksiononte realisht. Një PD demokratike dhe që respekton statutin e saj do ishte shembull për çdo organizatë tjeter politike, shtetërore apo të shoqërise civile. Një kryetar që drejton një parti të tillë, do gëzonte respekt edhe përtej partisë, do i kishte peshë fjala dhe do e besonte jo vetëm partia e tij, por edhe populli. Me shumë keqardhje po e përsëris, se gara për kryetar të PD po zhvillohet pa modalitetet e garës, të përcaktuara në rregulloren e brendëshme të PD, e cila duhet të ishte miratuar nga Këshilli Kombëtar i partisë, si parashikohet në nenet 50 dhe 51 të statutit të partisë. Janë përjashtuar nga gara për kryetar, me vendim të kryesisë së partisë, disa individë, por askuj nuk i është bërë me dije, shkaku i përjashtimit nga gara, sepse nuk ka një vendim të shkruar për këtë. Në këtë rast është shkelur parimi i transparencës në vendimmarrje dhe e drejta për t’u zgjedhur, duke shkelur kështu nenet 9 dhe 10 të statutit të PD. Të gjithë anëtarëve të PD, prej vitesh nën drejtimin e z.Basha, u është mohuar e drejta elementare dhe njëkohësisht themelore e demokracisë, per tu ankuar ndaj shkeljeve të statutit. Kjo, sepse në PD nuk është ngritur Komisioni i Apelit, ashtu si parashikon neni 66 i statutit të partisë. Për më tepër, dhe paligjshmëria më e madhe, çdo ndryshim që statuti i partisë ka patur ndër vite, nën drejtimin e z.Basha, nuk është regjistruar në regjistrin e partive politike, me vendim gjyqësor, ashtu si parashikon neni 14 i ligjit Për Partitë Politike. Nëse vërtetë gara për kryetar të PD, nuk ndjek misionin vetshërbyes të z.Basha. Nëse gara për kryetar të PD nuk ka si mision pushtetin brenda PD me çdo kusht dhe me çdo cmim. Nëse gara për kryetar të PD do kishte si mision reflektimin e legjetimitetit dhe demokracisë. Shkeljet e mësiperme të ligjit dhe statutit të partisë nuk do kishin ndodhur kurrë, madje, me një lider të vërtetë, që udhëheq mbi parime, frymëzon me veprime dhe di të mbajë përgjegjësi, demokratët nuk do vuanin 12 vjet në opozitë me qeverinë më të korruptuar në rajon e më gjerë.'- shkruan Ristani.