RTSH 24 Live

Kosova

Zgjedhjet në Kosovë, shtatë mijë vota më shumë, dyshime për ndërhyrje në zgjedhje nga Lista Serbe

22/02/2021

Zgjedhjet në Kosovë, shtatë mijë vota më shumë, dyshime për ndërhyrje në zgjedhje nga Lista Serbe

Partitë boshnjake në Kosovë kanë marrë rreth 7 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e shkuara. Por si për çudi ato morën vota edhe në zona, të cilat nuk ka banorë të këtij komuniteti. Kjo gjë ka ngritur dyshime për ndërhyrjen në procesin zgjedhor të Listës Serbe, në mënyrë që ajo të ketë nën kontroll 2/3 e deputetëve të pakicave Në lidhje me këtë kanë reaguar 49 organizata të sektorit civil, të cilat deklaruan se nuk e pranojnë rezultatin.

Përndërhyrjen në zgjedhje ka reaguar edhe, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se subjektet shqiptare nuk kanë ndërhyrë në zgjedhje, ndërsa tha se për ndërhyrjen duhet të merre masa.  ”Përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë duhet të jenë të zgjedhur nga komunitetet përkatëse pa asnjë ndërhyrje, siç ka qenë në legjislaturat paraprake dhe siç e përcakton fryma e kushtetutës. Ndërhyrja që duket qartë se ka ndodhur në këto zgjedhje është e papranueshme, sepse bie ndesh me parimet dhe frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”,ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë në një thirrje të përbashkët, dy shtetet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca kanë kërkuar formimin e shpejtë të Qeverisë së re në Kosovë si dhe zgjedhjen e presidentit 

Njoftimi erdhi nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde përmes një postimi në Twitter. “Gjermania dhe Franca uron qytetarët e Kosovës, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje për një formim të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, sapo të certifikohen rezultatet”, – ka shkruar ambasadori Rohde.
Rohde shtoi se do të mbështesin një agjendë ambicioze të reformave duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe vazhdimin e dialogut me Serbine.