RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet lokale/ Grupi i Alibeajt propozon kandidatin për Bashkinë Dimal

31/01/2023

Zgjedhjet lokale/ Grupi i Alibeajt propozon kandidatin për Bashkinë Dimal

Dritan Sula do të jetë kandidati i PD-së së Enkelejd Alibeajt për Bashkinë Dimal, në zgjedhjet lokale të 14 majit. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga grupimi i Alibeajt, ku shkruhet se Sula është aktiv në Partinë Demokratike që në vitin 1991 dhe se ka marrë pjesë edhe në lëvizjen antikomuniste për rrëzimin e diktaturës.

Sula, diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është një njeri aktiv në politikë dhe jetën e tij profesionale dhe shoqërore e ka të lidhur me vendlindjen e tij. Sula është aktiv në Partinë Demokratike që në vitin 1991, kur i’u bashkua lëvizjes antikomuniste për rrëzimin e diktaturës, për të vijuar më pas me themelimin e PD-së në vendlindjen e tij, deri në drejtimin e degës së saj, funksion të cilin e mban dhe sot. Dritan Sula me kandidimin e tij për bashkinë Dimal, synon që të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve të vet, duke ofruar një projekt konkret, për të rikthyer Bashkinë tek qytetarët, të cilët gjatë qeverisjes së Rilindjes janë nëpërkëmbur e lënë në harresë nga bashkia”, thuhet në njoftim.

Dy grupimet brenda PD, njëri që udhëhiqet nga Sali Berisha dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj, u futën në diskutime për të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, por nuk arritën të gjenin një dakordësi. Për rrjedhojë, Alibeaj ka nisur me prezantimin e kandidatëve që do të futen në garën zgjedhore, ku deri më tani ka bërë me dije se në Patos do të jetë Pranvera Rizai dhe në Vaun e Dejës, Klomentina Drini. Nga ana tjetër, grupimi i Berishës zgjodhi kandidatët nëpërmjet procesit të primareve.

/rtsh.al/