RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 6 marsit, Bardh Spahia pritet të jetë kandidati i Berishës për Bashkinë e Shkodrës

27/01/2022

Zgjedhjet e 6 marsit, Bardh Spahia pritet të jetë kandidati i Berishës për Bashkinë e Shkodrës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia pritet të jetë kandidati i fraksionit të mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha në zgjedhjet e 6 marsit për Bashkinë e Shkodrës.

Pas ngjarjeve në PD, skena politike në qytetin më të rëndësishëm të veriut duket se do të jetë dypolare. Kjo dhe për shkak të influencës që kanë në elektorat kandidatja, thuajse e përcaktuar e qeverisë Majlinda Angoni dhe demokrati Bardh Spahia i rreshtuar prej kohësh në krahun e Berishës, brenda PD. 

Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, socialistët mund të kenë në favor edhe votat e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, ajo nxorri dy deputetë.

Nga ana e tyre mbështetësit e Berishës mund të kenë në favor votat e LSI-së, ndonëswe ajo ende nuk është pozicionuar zyrtarisht për emra kandidatësh.

PD, zyrtare e Bashës nuk është nxituar të nxjerrë emra. Zyrat qendrore në Tiranë kanë deleguar në Shkodër, Enkelejd Alibeajn, i cili  pritet të përballet në bazë me zbehjen e fuqisë së partisë për shkak të ndarjes Basha-Berisha.

Deri në regjistrimin e kandidatëve që do të jetë çështje teknikalitetesh ligjore, një gjë është e sigurt. Bashës i duhet fitorja të mbrojë bastionin tradicional të Shkodrës.

Berishës i duhet fitorja të tregojë se zotëron radhët e partisë, ndërsa Ramës i duhet fitorja që të mund të shijojë për herë të parë drejtimin në Bashkinë e Shkodrës me një kandidate të paprekur nga dekriminalizimi.