RTSH 24 Live

Kronika

Zgjedhjet e 25 prillit, SPAK kërkon sekuestrim të materialeve zgjedhore

26/05/2021

Zgjedhjet e 25 prillit,  SPAK kërkon sekuestrim të materialeve zgjedhore

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar se kanë nisur disa hetime lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.  Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, Celibashi tha se në KQZ janë depozituar 10 kërkesa për informacion dhe dy vendime për sekuestrime të materialeve zgjedhore nga SPAK dhe Prokuroritë e Tiranës, Gjirokastrës, Pukës, Vlorës dhe Elbasanit. Po ashtu sipas Celibashit janë kërkuar pamje filmike të procesit të numërimit edhe nga Policia e Tiranës.  "Për zgjedhjet e 25 Prillit kanë nisur hetimet për falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, pengim të subjekteve zgjedhore si dhe për votim më shumë se një herë dhe pa u identifikuar", shkruan Celibashi. 
Po ashtu kanë nisur hetimet për shkeljen e fshehtësisë së votimit, korrupsionin aktiv në zgjedhje, kanosje dhe dhunim të pjesëmarrësve në zgjedhje, marrje ose përdorim të paligjshëm i dokumenteve të identifikimit.
Të gjitha materialet dhe rastet e dyshimta të shkeljeve do të referohen në Prokurori pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të ankimimeve administrative.