RTSH 24 Live

Kronika

Zgjedhjet e 25 prillit, KQZ çon për ndjekje penale 67 numërues

03/12/2021

Zgjedhjet e 25 prillit, KQZ çon për ndjekje penale 67 numërues

KQZ do të çojë për ndjekje penale në prokurori 67 anëtarë të grupeve të numërimit në zgjedhjet e 25 prillit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një prononcim për mediet tha se ne dy qendra votimi janë identifikuar 20 raste të votimeve të shumëfishta.

“Në total janë 67 anëtarë të grupeve të numërimit, pra janë 18 grupe numërimi dhe 67 anëtarë të grupeve të numërimit emrat e të cilëve do të referohen në organin e prokurorisë. Të gjitha shkeljet që ne i kemi vlerësuar si shkelje të natyrës penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit, apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë politike. Ne nuk kemi në kushte as për të hetuar dhe verifikuar për këta anëtarë, që janë apo jo përgjegjës për këtë parregullsi. Do i takojë organit të prokurorisë për të konkluduar nesër janë të 4 anëtarët e grupit përgjegjës, apo vetëm njëri prej tyre. Të 4 janë përgjegjës para ligjit. Janë 20 raste kur kemi parë votim të shumëfishtë në 2 qendra votimi”, tha Celibashi.

Ndërkaq në mbledhjen e sotme, Komisioneri vendosi plotësimin e vakancave në disa këshilla bashkiakë: në Këshillin e bashkisë Kurbin, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë G 99, zj. Gjyste Gjon Kola; në këshillin e bashkisë Mirditë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Ardhmëria Shqiptare, z. Nikolin Prend Luli”; në këshillin e bashkisë Himarë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj. Donika Vasil Kolagji”; në këshillin e bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj. Kamela Ferdinant Banushi”; në këshillin e bashkisë Lezhë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Uniteti Kombëtar, z. Valentin Paulin Frani”; në këshillin e bashkisë Lushnje, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Ermal Harilla Rrushi”; në këshillin e bashkisë Divjakë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj. Klaudja Lulzim Turtulli”, në këshillin e bashkisë Fushë Arrëz, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Ndue Marash Doçi”.

Gjithashtu, përfundoi shqyrtimi i rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues, Daniel Gjin Prroj, kandidat për deputet i propozuar nga Koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor-Emigracioni-Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), qarku Shkodër, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Komisioneri vendosi të deklarojë të përfunduar procedurën administrative pa vendim përfundimtar, pasi vlerësoi se ka humbur objekti dhe qëllimi i verifikimit të thelluar.