RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 2025- PD, angazhim për rritjen e përfaqësimit të grave në parlament

4 orë para

Zgjedhjet e 2025- PD, angazhim për rritjen e përfaqësimit të grave në parlament

Partia Demokratike synon që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të rrisë pjesëmarrjen e gruas në parlament dhe vendimmarrjen e saj. Kjo është theksuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka dhe Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi në tryezën e zhvilluar nga Lidhja Demokratike e Gruas.

Bardhi tha se angazhimi i grave në politikë është “i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për suksesin e çdo gare apo aksioni politik”.

Angazhimi në politikë nuk është i lehtë për zonjat. Veçanërisht, angazhimi juaj gjatë këtyre 12 viteve, për shkak të regjimit të Edi Ramës, ka qenë shumë i vështirë. Kam takuar mësuese, mjeke dhe zonja punonjëse në administratë që angazhohen në Partinë Demokratike, dhe që më tregojnë se si, edhe në vitin 2024, vijojnë të intimidohen dhe të përndiqen, vetëm sepse angazhohen në politikë dhe janë pjesë e Partisë Demokratike. Por, ndonëse flasin për intimidimin, presionin apo përndjekjen që u bëhet çdo ditë, në çdo bisedë me to shoh vendosmërinë për të vazhduar përpara, për të qëndruar, për të sakrifikuar dhe për të bërë më të mirën, sigurisht për Partinë Demokratike, por mbi të gjitha për Shqipërinë”, tha Bardhi.

Noka u shpreh se roli i grave në politikë në vendin tonë ka qenë i kufizuar, duke e konsideruar një padrejtësi që duhet korrigjuar.

Gratë në shoqërinë shqiptare kanë qenë dhe janë një nga shtyllat kryesore të familjes dhe shoqërisë. Një specifikë në kushtet tona është se gratë në Shqipëri kanë qenë bashkëluftëtare të përhershme edhe në mbajtjen e familjes, por kanë një rol më të madh se burrat në ndërtimin e të ardhmes së shoqërisë pasi edukojnë brezat e ardhshëm. Megjithatë në kushtet e Shqipërisë, roli i tyre ka qenë edhe më i kufizuar në politikë. Kjo është një padrejtësi që duhet korrigjuar, pasi ne mendojmë se roli i grave nuk është thjesht rol i rëndësishëm, por në një shoqëri demokratike, roli i grave është i pazëvendësueshëm”, u shpreh Noka.

/rtsh.al/