RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet 2023/ Meta: Opozita me kandidat të përbashkët, Berisha ka dorë të lirë për t’i zgjedhur

04/10/2022

Zgjedhjet 2023/ Meta: Opozita me kandidat të përbashkët, Berisha ka dorë të lirë për t’i zgjedhur

Opozita do të dalë me një kandidat të përbashkët. Ky është konsensusi i arritur mes Sali Berishës dhe Ilir Metës pas takimit që zhvilluan në selinë blu. Ka qenë vetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta që e bëri të ditur, i cili tha se për zgjedhjen e kandidatit më të mirë i ka lënë dorë të lirë Sali Berishës.

“Partia e Lirisë siç e dini është e hapur për të bashkëpunuar më çdo faktor të vërtete opozitar në radhë të parë me PD në interes të vendosjes së demokracisë sa më shpejt në vend. Së dyti Partia e Lirisë ka qenë dhe është e gatshme të bashkëpunojë dhe koordinojë aksionin opozitar si një interes kombëtar dhe jo interes partiak. Partia e Lirisë e ka përballjen me Edi Ramën dhe regjimin mafioz dhe dëshiron ti bashkojë forcat në mënyrën më të hapur me të gjithë forcat e tjera që janë realisht në opozitë me Edi Ramën”, tha Meta.

Lidhur me bashkëpunimin me grupin e Enkelejd Alibeaj, Meta refuzoi çdo mundësi bashkëpunimi me të duke e cilësuar si opozitë “që funksionon me regji”.

 “Unë nuk mbyll asnjë derë, nuk është detyra ime as të mbyll e as të hap. Kam që në 2 mars që jam në sheh përballë këtij regjimi. Kam qenë më parë si president, i vetëm, me përkrahjen e popullit, tani jam më komod se kem një forcë politike, pavarësisht traumave që ka kaluar në ta kaluarën, ka një dinamikë që do jetë spektakolare. Të gjithë mund ta gjykojnë se ku qëndron njëri dhe tjetri në raport me regjimin. Nuk është detyra ime të mbaj komunikim me cilindo, s’kam ndërprerë komunikim me askënd dhe jam tërë ditën në komunikim me të gjithë ata që duan të bëjnë opozitë të vërtetë dhe jo me ata që bëjnë opozitë me regji, hajde bëjmë sikur bëjmë opozitë”, tha Meta.

Nëse ndonjë kandidat do të dalë nga Partia e Lirisë pasi ka mbështetje në një bashki të caktuar, Meta tha se do e diskutojë me Berishën për të arritur një dakordësi.

“E kemi bërë të qartë që s’do vëmë kushte për asnjë lloj bashkie. Nëse do të ketë kandidat nga PL që mendojnë se kanë përkrahje në një bashki të caktuar është një çështje që do e diskutojmë që ky kandidat të testohet”, tha ai.

/rtsh.al/