RTSH 24 Live

Kosova

Zemaj: Situata me pandeminë nën kontroll

22/02/2021

Zemaj: Situata me pandeminë nën kontroll
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se situata me pandeminë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për ndonjë alarm.

Ai në takimin e komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19, tha se ka rënie të rasteve pozitive dy javët e fundit dhe rënie të numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet.

“Në dy javët e fundit me 7.02.2021 deri me 20.02.2021 janë raportuar 4 mijë e 121 raste pozitive, 49 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa pozitiviteti është 1.18 për qind. Deri më tani janë regjistruar 1 mijë 572 raste të vdekjeve në shkallë prej 2.3 për qind. Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë tregon ulje simbolike të rasteve dy javëve të fundit për 1.16 përqind, por me mundësi të fillimit të rritjes së rasteve pozitive në këtë javë. Kemi ulje të rasteve të vdekjeve të raportuara për 36.7 për qind”, tha ai.

Zemaj tha se janë të angazhuar për sigurimin e vaksinës anti-Covid, por kësaj radhe nuk ka ndonjë datë se kur pritet vaksinat të mbërrijnë në Kosovë.

Ai ka kërkuar që masat të vazhdojnë të respektohen dhe ka kërkuar nga Inspektorati që të vazhdojnë të monitorojnë zbatimin e masave anti-Covid. /KosovaPress/