RTSH 24 Live

Botë

Zelenskyy në Britaninë e Madhe, kërkon avionë luftarakë: Liria do të fitojë

08/02/2023

Zelenskyy në Britaninë e Madhe, kërkon avionë luftarakë: Liria do të fitojë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për avionë luftarakë për të siguruar fitoren e vendit të tij ndaj Rusisë në një fjalim dramatik para Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, ku ai falënderoi gjithashtu edhe popullin britanik për mbështetjen e tyre që nga "Dita e Parë" e pushtimit nga Moska.

Vizita e befasishme e liderit ukrainas në Britani, në një përpjekje për të siguruar armë më të avancuara, vjen ndërsa Ukraina përgatitet për një ofensivë të pritshme ruse dhe zhvillon planet e veta për të rimarrë tokën e mbajtur nga forcat e Moskës. 

Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen çuditërisht të ashpër të Kievit, ku të dyja palët janë përfshirë në beteja të ashpra.

Ky është udhëtimi i dytë jashtë vendit i Zelenskyy, që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt 2022 Ukrainën, pas një vizite në dhjetor në Uashington. 

Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron tha se ai do të presë Zelenskyy dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Paris më vonë gjatë ditës. Pritshmëritë po rriten që ai të takohet edhe me krerët e Bashkimit Evropian në Bruksel të enjten.

Sunak dhe Zelenskyy do të vizitojnë trupat ukrainase që po trajnohen me tanket Challenger 2 që Britania po dërgon si pjesë e qindar tankeve që Kievi thotë se i duhen.

Qindra ligjvënës dhe staf parlamentar mbushën sallën 900-vjeçare të Ëestminster-it, më e vjetra, në një ditë të ftohtë dimri, pa ngrohje për të dëgjuar në Parlament fjalimin e Zelenskyy.

Zelenskyy, i veshur me xhupin e tij me ngjyrë ulliri, u kërkoi aleatëve që të dërgonin avionë në vendit e tij, duke thënë se avionët luftarakë do të ishin "krahë për lirinë".

Nëpërmjet një gjesti të gjetur dhe dramatik, Zelenskyy i dhuroi kryetarit të Dhomës së Komunave një helmetë të forcave ajrore ukrainase, të shkruar nga një pilot ukrainas: “Ne kemi lirinë. Na jep krahë për ta mbrojtur atë.”

Presidenti po përpiqet të zbusë hezitimin e aleatëve për të dërguar avionë luftarakë të avancuar, si për shkak se ata janë kompleks për të fluturuar por edhe nga frika e përshkallëzimit të luftës.

Mbretëria e Bashkuar ka thënë vazhdimisht se nuk është praktike që t'i ofrojë ushtrisë ukrainase avionë luftarakë britanikë. 

Por në një ndryshim të qëndrimit, qeveria tha të mërkurën se po "shikonte në mënyrë aktive" nëse Ukrainës mund t'i dërgoheshin avionë perëndimorë dhe se ishte "në diskutim me aleatët tanë" për këtë.

Britania njoftoi se do të trajnojë pilotët ukrainas në Britani për "avionët luftarakë të standardit të NATO-s" duke filluar brenda disa javësh.

Zëdhënësi i Sunak, Max Blain, tha se qeveria ishte duke eksploruar se "çfarë avionësh mund të jemi në gjendje të japim" gjatë viteve të ardhshme, por nuk kishte marrë një vendim nëse do të dërgonte avionët e saj F-35 ose Typhoon.

"Ne mendojmë se është e drejtë të sigurohen pajisje afatshkurtëra, që mund të ndihmojnë në fitimin e luftës tani, por gjithashtu shikojmë në afat të mesëm dhe afatgjatë për t'u siguruar që Ukraina ka çdo kapacitet të mundshëm që kërkon,"- tha ai.

Macron ka thënë se Franca nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, por vendosi kushte përpara se të ndërmerret një hap i tillë, duke përfshirë mos çuarjen në një përshkallëzim të tensioneve ose përdorimin e avionit "për të prekur tokën ruse" dhe që nuk rezulton në dobësimin e "kapaciteteve" të ushtrisë franceze.”

Zelenskyy, i cili gjithashtu u takua në Pallatin Buckingham të mërkurën me Mbretin Charles III, vuri në dukje se monarku britanik ishte një pilot i kualifikuar ushtarak. Apnews

/rtsh.al/