RTSH 24 Live

Botë

Zelensky viziton Londrën: Duam avionë modernë të mbrohemi nga rusët  

08/02/2023

Zelensky viziton Londrën: Duam avionë modernë të mbrohemi nga rusët  

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha ligjvënësve britanikë të mërkurën se do të bënte gjithçka që mundej për ta bindur botën që t'i siguronte Ukrainës avionë modernë, për t'i ndihmuar forcat e tij të mposhtin Rusinë.

“Ne... do të bëjmë gjithçka të mundur dhe të pamundur për ta bërë botën të na sigurojë avionë modernë për të fuqizuar dhe mbrojtur pilotët që do të na mbrojnë”, u tha Zelensky qindra ligjvënësve në sallën Westminster të Londrës.

Ai iu referua monarkut britanik, Mbretit Charles, i cili është pilot i trajnuar i avionëve luftarakë, dhe tha se të gjithë pilotët luftarakë në Ukrainë trajtohen si mbretër, “sepse ne kemi kaq pak të tillë, prandaj ata janë shumë të çmuar për ne”.

Britania njoftoi për dërgesat e menjëhershme ushtarake, që t’i ndihmojë Ukrainës në luftën kundër forcave ruse, dhe u zotua se do të trajnojë pilotët, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Londër me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.  Vizita në Londër është e dyta e Zelenskyt jashtë vendit që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit të tij më 24 shkurt. Në dhjetor, ai realizoi vizitën e parë jashtë vendit, përkatësisht vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të enjten, Zelensky pritet të udhëtojë për në Bruksel, ku do të mbahet një samit i Bashkimit Evropian.

Në nisje të takimit me Sunakun, Zelensky e falënderoi Britaninë për mbështetje të shtetit të tij “që nga dita e parë e pushtimit në shkallë të gjerë”.

“Faleminderit shumë, ne jemi krenarë, vërtet, dhe kemi raporte shumë të mira me Rishin”, tha Zelensky. Takimi ndërmjet dy liderëve ishte i shkurtër.

Britania, që ka punuar me trupat ukrainase, tha se do të ofrojë trajnime shtesë në mënyrë që pilotët ukrainas të jenë në gjendje që në të ardhmen t'i pilotojnë “avionët luftarakë, të sofistikuar, me standarde të NATO-s”, duke shtuar se kjo ishte “pjesë e investimit afatgjatë në ushtrinë e tyre”.

Sunak tha se vizita e Zelenskyt në Britani është testament i “kurajës së Ukrainës, vendosmërisë dhe luftës, si dhe i miqësisë së pathyeshme ndërmjet dy shteteve tona”.

“Jam shumë i lumtur që sot ne do të zgjerojmë trajnimet nga ushtarët te marinsat dhe te pilotët e avionëve luftarakë, duke siguruar që ushtria ukrainase të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj mirë në të ardhmen”. Zelensky pritet të takohet edhe me Mbretin Charles. Gjatë kësaj vizite, Britania po ashtu do të njoftojë për sanksione të reja që shënjestrojnë individë dhe kompani “që po përfitojnë nga makineria e luftës së Kremlinit”. Zelensky u ishte adresuar ligjvënësve britanikë në marsin e vitit të kaluar, përmes video-lidhjes nga Kievi./rel/

/rtsh.al/