RTSH 24 Live

Bota

Zelensky thirrje Bjellorusisë: Mos iu bashkoni Rusisë në luftën kundër nesh

28/06/2022

Zelensky thirrje Bjellorusisë: Mos iu bashkoni Rusisë në luftën kundër nesh

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua popullit të Bjellorusisë, duke u kërkuar atyre që të mos lejojnë që Minsku të tërhiqet në luftë së bashku me Rusinë. Thirrja e Zelenskyt vjen  pasi u raportuan bombardime me raketa ruse nga Bjellorusia kundër territorit ukrainas.

"Sot dua t'u drejtohem, qytetarëve të Bjellorusisë. Popullit, si civilë ashtu edhe me uniformë. Ju jeni përfshirë në luftë. Dhe madje më aktivisht sesa ishit në shkurt dhe pranverë. Kremlini ka vendosur tashmë gjithçka për ju: jeta juaj nuk është asgjë për ta. Por ju nuk jeni skllevër dhe nuk jeni mish topash. Ju nuk duhet të vdisni. Dhe nuk mund të lini askënd të vendosë për ju", tha Zelensky.

Zelensky pritet të flasë këtë të martë edhe në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ukraina bëri thirrje për takimin në përgjigje të sulmit raketor rus në një qendër tregtare të mbushur me civilë dhe bombardimeve të fundit ruse në të gjithë Ukrainën./ Corriere.it

/rtsh.al/