RTSH 24 Live

Botë

Zelensky: Po bombardohen pikat e evakuimit, vetëm terrositët rusë mund ta bëjnë këtë

09/06/2023

Zelensky: Po bombardohen pikat e evakuimit, vetëm terrositët rusë mund ta bëjnë këtë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se forcat ruse vijojnë sulmet në zonat e përmbytura të Khersonit, përfshi edhe pikat e evakuimit. Për presidentin ukrainas, bombardimi i pikave të evakuimit është manifestim i së keqes që asnjë terrorist në botë, përveç rusëve, nuk e ka bërë.

"Ata vazhdojnë të bombardojnë Kherson dhe komunitetet e rajonit, të cilat tashmë janë përmbytur nga terroristët. Madje po bombardojnë pika evakuimi, që është një manifestim i së keqes që ndoshta asnjë terrorist në botë, përveç atyre rusë, nuk e ka bërë ndonjëherë”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas thekson se katastrofa në Kherson sa vjen dhe zgjerohet, ndrësa shtoi se forcat ruse "kanë braktisur plotësisht njerëzit në bregun e majtë të rajonit Kherson për fatin e tyre".

"Katastrofa po zgjerohet atje prej dy ditësh. Dhe kjo është gjithashtu një zgjedhje absolutisht e vetëdijshme e udhëheqjes ruse," tha Zelensky.

Zyrtarët ukrainas thanë më herët se të paktën nëntë persona u plagosën nga bombardimet në rajonin jugor ndërsa mijëra ikin nga përmbytjet e shkaktuara nga shembja e një dige të madhe .

Të paktën 2,339 njerëz, përfshirë 120 fëmijë, janë evakuuar nga zonat e përmbytura pas shembjes së digës Nova Kakhovka, tha Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës në një postim në Telegram të enjten.

Ministria tha se të paktën 563 njerëz, përfshirë 28 fëmijë, u shpëtuan nga përmbytjet dhe se nëntë qendra evakuimi janë ngritur.

Në bregun perëndimor të lumit Dnipro, të paktën 3,426 shtëpi janë përmbytur plotësisht, sipas Oleksandr Prokudin, kreut të administratës ushtarake të rajonit Kherson.

Nuk është ende e qartë nëse diga u shemb sepse ishte shënjestruar qëllimisht ose nëse thyerja mund të ishte shkaktuar nga dështimi strukturor. Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për kolapsin.

/rtsh.al/