RTSH 24 Live

Politikë

Zëdhënësi i presidentit: Fatkeqësi, parlamenti preku themelin e reformës në sistemin e drejtësisë

07/05/2021

Zëdhënësi i presidentit: Fatkeqësi, parlamenti preku themelin e reformës në sistemin e drejtësisë



Presidenti i vendit Ilir Meta ka shprehur të premten shqetësimin pasi parlamenti rrëzoi 10 dekrete që rikthyen 10 ligje që sipas tij prekin themelin e reformës në sistemin e drejtësisë. Këshilltari presidencial për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj, ka dalë me një deklaratë për mediat, duke e quajtur këtë fatkeqësi. "Ndërkohë që prisnim të dëgjonim në diskutime përpjekje për të argumentuar ligjërisht, dëgjuam retorikë politike fjalë boshe pa asnjë vlerë për shoqërinë, gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës.
10 ligje Kuvendi arrin t’i shqyrtojë brenda një ditë, këtë ritëm do e kishte zili cdo vend evropian për deputetët e tij" tha zoti Dervishaj.
Ai kujtoi se "Kuvendi në një ditë, më 23 mars të këtij viti miratoi 10 ligje të hartuara nga qeveria që ndryshojnë rrënjësisht reformën e që u kthen në muajin prill me dekrete nga Presidenti, ndërkohë që u ndryshuan brenda një dite, janë hartuar miratuar e konsultuar pas një analize 2 vjeçare të gjithë sistemit të drejtësisë në vitet 2015-2017.
Reforma në drejtësisë në këto vite iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lattë e iu hoq qeverisë e drejta për të ndërhyrë. Roli i Kuvendit në këto vite ishte rol certifikues i produktit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj e vendas pa pasur të drejtën qeveria për të ndërhyrë në thelbin e tyre”, deklaroi Dervishaj.
"Mazhoranca nuk është mjaftuar sot vetëm me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Në seancën e së premtes, u rrëzuan edhe dekretet e kreut të shtetit, i cili kishte kthyer për rishtyqrtim në Kuvend ndryshimet në 10 ligje të paketës së reformës në drejtësi" tha Këshilltari presidencial për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj.
Po të premten presidenti Ilir Meta paralajmëroi se nuk do të njohi asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore sipas tij të Kuvendit njëpartiak në detyrë, pasi ai ngriti komisionin për shkarkimin e tij.