RTSH 24 Live

Kosovë

Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç do takohen këtë muaj në Bruksel

06/04/2023

Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç do takohen këtë muaj në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se gjatë këtij muaji do të takohet në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kurti sqaroi se në prill do të mbahet takimi i nivelit të lartë në Bruksel ndërsa vuri theksin te zbatimi i të gjithë marrëveshjes së arritur me Serbinë.

“Ne do të analizojmë më zëvendëskryeministrin Bislimi rezultatet nga takimi i zhvilluar në Bruksel dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill, brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë. Theksoj se duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe në kuadër të marrëveshjes, kemi një nen që është i 10 dhe është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme por si një çështje urgjente është çështja e të pagjeturve”, tha Kurti.

Deklarata e kryeministri erdhi pas pjesëmarrjes së tij në konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Duke u ndalur te marrëveshja e arritur mes kryenegociatorëve të dy vendeve Prishtinë-Beograd, në Bruksel, Kurti u shpreh se në tekstin për personat e pagjetur, do t’u referohen si  “personat e zhdukur me dhunë”.

Formulimi është ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur që mungojnë gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai.

Sa i takon draftit të Statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i ekzekutivit kosovar tha se fillimisht do t’i analizojnë rezultatet e takimit të zhvilluar në Bruksel, gjatë kësaj jave.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, të martën nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

/rtsh.al/