Policia e Tiranës ka arritur të zbardhë një ngjarje e të rëndë të ndodhur në kryeqytet, viktimë e së cilës ka qenë një 24 vjeçare, shtetase palestineze. Pas një serie veprimesh hetimore, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim bashkëshortin e 24 vjeçares së vrarë të identifikuar si Rayyan Alwan. Personi i dyshuar për këtë ngjarje është, Fadi Alwan, 49 vjeç, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria pas vrasjes.
Sipas policisë, falë veprimeve të shpejta hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.
“Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.”, njofton policia.
Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases Rayyan Alwan 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin Fadi Alwan 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
“Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.
/rtsh.al/