RTSH 24 Live

Kronika

Zbardhet vrasja e Edmond Papës në Tiranë, arrestohet një nga autorët, djali i një polici! Shpallet në kërkim autori tjetër

03/01/2023

Zbardhet vrasja e Edmond Papës në Tiranë, arrestohet një nga autorët, djali i një polici! Shpallet në kërkim autori tjetër
Viktima, Edmond Papa

Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë këtë të martë, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Edmond Papës, ngjarje e ndodhur më 16 dhjetor në Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku në pranga ka rënë personi i identifikuar si  Albano Velo, lindur në Këlcyrë Përmet dhe banues në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkautori i vrasjes, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë.

30-vjeçari Velo, djali i efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, rezulton shok i Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar më 11 qershor të vitit të kaluar, megjithatë nuk dihet ende nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Nga hetimi ka rezultuar se autorët e kanë ndjekur për disa ditë Edmond Papë, deri në ekzekutimin e tij. Në cilësinë e provave materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip "Audi" i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes.  

49-vjeçari Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit, ku u qëllua për vdekje në një lokal. Viktima ishte me precedent në Greqi, ku ka kryer një dënim për drogë. Ai ishte banues në Sarandë, ku edhe kishte në pronësi edhe një hotel.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më 16 dhjetor 2022, ku mbeti i varë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa

Finalizohet operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”

Identifikohet dhe ndalohet njëri prej autorëve të vrasjes

Shpallet në kërkim bashkëautori i vrasjes.

Sekuestrohet automjeti i përdorur gjatë kryerjes së vrasjes, pamje filmike e prova të tjera të vlefshme, që çuan në identifikimin e autorëve.

Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Renda ndaj Jetës e Pronës në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 01.01.2023, në orët e para të mëngjesit, u finalizua operacioni policor i koduar  “EAGLE EYES”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së datës 16.12.2022, ku në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë, është  vrarë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa, i datëlindjes 1973, lindur në fshatin Kurjan Fier dhe banues në Sarandë.    

 Policia e Tiranës pas një pune profesionale e të pandërprerë trejavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, ka bërë të mundur dokumetimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “EAGLE EYES”  u bë ndalimi i shtetasit:

  1. V. 30 vjeç, lindur në Këlcyrë Permet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” .

Si dhe shpallja në kërkim e bashkëautorit, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit.

Në cilesinë e provave materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip "Audi" i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe 3 aparate celular.  

Nga strukturat hetimore për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale, i kanë kaluar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/