RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zaev: Pres që në qershor Sofja të zhbllokojë integrimin tonë për në BE!

30/05/2021

Zaev: Pres që në qershor Sofja të zhbllokojë integrimin tonë për në BE!

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev pret që deri në qershor të zhbllokohet procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Kreu i Qeverisë maqedonase tha se kontesti duhet të zgjidhet mes dy popujve, ndërsa paralajmëroi edhe një takim me kryeministrin bullgar Stefan Janev në vendkalimin kufitar mes dy shteteve. “Shpresoj se në qershor Bullgaria do të na jep mbështetjen që të bëjmë hapin e radhës drejt integrimit evropian, të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare që do të shënonte edhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Si dy popuj vëllezër duhet ta gjejmë zgjidhjen që përfundimisht, pas 16 vite e gjysmë, Maqedonia e Veriut ta bëjë jo një hap, por gjysmë-hapin e parë, të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Pra, fokusi jonë është te Bullgaria, parlamenti dhe te të gjitha institucionet atje dhe shpresojmë që në qershor do të japin mbështetje të bëjmë hapin e radhës në proceset integruese të Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut  Stevo Pendarovski dhe ai bulagar Rumen Radev, u takuan të enjten në Romë ku theksuan nevojën e rivendosjes së dialogut dhe kthimin e besimit të ndërsjellë. Drejtuesit e institucioneve nuk ka dhënë detaje mbi propozimin portugez përveç asaj se me të nuk rrezikohet gjuha dhe identiteti maqedonas. Mediat bullgare kanë raportuar se propozimi i kërkon palës maqedonase të pranojë se gjuha maqedonase është modifikuar pas vitit 1945, sikur edhe identiteti ri maqedonas ndërsa nga pala bullgare kërkon që ajo të mos përmendë apo të insistojë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas, para periudhës së vitit 1945, nuk kanë pasur “rrënjë bullgare”. Pikërisht ky kontest bëri që Sofja në nëntor të vitit të kaluar të bllokojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.