RTSH 24 Live

Rajon

Zaev në Forumin e Shkupit: "Vendet tona duhet të ecin para!"

29/07/2021

Zaev në Forumin e Shkupit: "Vendet tona duhet të ecin para!"

Në Shkup nisi “Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal” një nismë e cila synon të arrijë rezultate të dukshme në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (Mini Shengeni), për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Sikurse njofton e dërguara e RTSh Denada Shkodrani, slogani i këtij forumi pritet të jetë “Ballkani i Hapur”. 
Mikpritësi i forumit Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se në çelje të tij se "Duam të sigurojmë mundësi për bashkëpunim sa më efikas mes vendeve tona",
Ai kujtoi katër liritë themelore, lirinë e lëvizjes së njerëzve, shërbimeve, kapitalit dhe mallrave.
"Vendet tona duhet të ecin para, pasi nuk mund të presim që BE të zgjidhë problemet e brendshme" tha zoti Zaev. "Vendet tona kanë burime dhe potencial të madh zhvillimi. Vullneti politik dhe bashkëpunimi rajonal mund të ndihmojë në qetësimin e marrëdhënieve mes vendeve" tha më tej ai.
Zoti Zaev ftoi të gjitha vendet e rajonit për bashkëpunim, pasi së bashku jemi Ballkani Perëndimor, tha ai.
Kosova nuk do të marri pjesë në Forumin e Shkupit. Zyra e qeverisë së Kosovës ka konfirmuar për Euronews Albania se kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm. “Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, iu përgjigj zyra e kryeministrit, interesimit të Euronews Albania.