RTSH 24 Live

Rajon

Zaev merr votëbesimin në Kuvend me 62 vota “pro”

03/03/2021

Zaev merr votëbesimin në Kuvend me 62 vota “pro”

Përbërja qeveritare “Zaev 2” ka kaluar para pak minutash votëbesimin në Kuvend me 62 vota “pro”. Ndërsa opozita braktisi sallën duke mos marrë pjesë në votim, në këtë mënyrë nuk ka pasur asnjë votë kundër. Po ashtu në sallë nuk pati as edhe një votë abstenim. Kryeministri Zoran Zaev, më herët, në seancën e sotme të Kuvendit kishte kërkuar votëbesimin e Qeverisë.

Kjo sipas tij vinte pas pretendimeve të VMRO-DPMNE-së se posedon shumicë të re në Kuvend. Pas votimit në Kuvend përmes të cilit deputetët i dëshmuan besimin Qeverisë me 62 vota “pro”, organi ekzekutiv nuk rrezikohet nga një mocion tjetër për 90 ditë të tjera.

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut përcakton afat kohorë mes dy mocioneve i cili duhet respektuar. Mocion tjetër të menjëhershëm mund të parashtrohet vetëm nëse i njëjti ka mbështetjen e të paktën 61 nënshkrimeve. Neni 92 thotë: “Mocioni i serishëm për besimi të Qeverisë nuk mund të parashtrohet para kalimit të 90 ditëve prej votimit të fundit të mocionit për besim, përveç nëse mocionin e besimit e parashtrojnë shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve”./ Alsat