RTSH 24 Live

Teknologji

WhatsApp do të bllokojë llogaritë nëse përdoruesit nuk pranojnë ndryshimet

07/05/2021

WhatsApp do të bllokojë llogaritë nëse përdoruesit nuk pranojnë ndryshimet

 

Përdoruesit e aplikacionit të mesazheve WhatsApp kanë afat deri më 15 maj për të pranuar kushtet e reja ose do të bllokohen nga ky rrjet social dhe nuk do të kenë mundësi ta përdorin.

Sipas WhatsApp, nëse përdoruesit nuk do të pranojnë kushtet e reja të sigurisë ata do të bllokohen.

Ky afat ishte shtyrë me disa muaj nga kompania për shkak të diskutimeve dhe pakënaqësisë që ka ndaj këtyre rregullave. Shumë përdorues të WhatsApp i konsiderojnë të papranueshme rregullat e reja të privatësisë, për shkak se i jep të drejtë Facebook-ut të ketë akses mbi të dhënat personale të përdoruesve.

Afati për pranimin e këtyre ndryshimeve ishte caktuar më datë 8 Shkurt, por u shty për shkak të reagimeve në rrjetet sociale.

Ata që refuzojnë të pranojnë rregullat e reja të WhatsApp pas datës 15 maj, llogaria e tyre do të fshihet pas 120 ditësh pasivitet.

WhatsApp ka thënë se pretendimi që Facebook do të ketë akses tek të dhënat personale të përdoruesve nuk është i vërtetë. (A. Çejku)