RTSH 24 Live

Rajon

Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas kërkesës së Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

12/05/2022

Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas kërkesës së Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 13 maj, pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës raporton REL.

Më 12 maj, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar fizikisht aplikacionin e Kosovës në këtë Këshill.

“Me këtë veprim, Prishtina ka shkelur edhe një marrëveshje që ka nënshkruar, e ajo është Marrëveshja e Uashingtonit. Ata e kanë shkelur brutalisht atë”, ka thënë Vuçiç.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium - po ashtu njëvjeçar - mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t'i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne nuk duhet të përfshihemi në urrejtje dhe të hyjmë në psikozë konflikti, por të ofrojmë përgjigje të fuqishme në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka thënë se Serbia do të bëjë më të mirën për të mbrojtur shtetin.

 

/rtsh.al/