RTSH 24 Live

Rajoni

Vuçiç- Kurti takim në 21 nëntor, presidenti serb: S’jam optimist për takimin e Brukselit

20/11/2022

Vuçiç- Kurti takim në 21 nëntor, presidenti serb: S’jam optimist për takimin e Brukselit

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kuti, me ftesë të autoritetve të BE-së, do të takohen në Bruksel më 21 Nëntor. Ka qenë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili deklaroi se dy udhëheqësit ishin ftuar që të shkonin në Bruskel për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, në lidhje me riregjistrimin e automjeteve me targa serbe, që përmbajnë akronime në serbisht të qyteteve të Kosovës, të cilat Prishtina i konsideron të jashtëligjshme.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

"Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë",- tha Vuçiç për një television serb.

Vuçiç ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 8 në mëngjes, si dhe ka ripërsëritur kushtet e Serbisë. "... duhet të formohet asociacioni për komunat me shumicë serbe, si dhe duhet ta anuloni vendimin për targa".

Që nga 1 nëntori, kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur. Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga paslufta.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës, që të shtyjë afatin për riregjistrimin e targave.

/rtsh.al/