RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrau për gjakmarrje, gjykata jep masën arrest me burg për Florian Përvathin

27/01/2022

Vrau për gjakmarrje, gjykata jep masën arrest me burg për Florian Përvathin

Gjykata e Lezhës vendosi të lerë me masën "arrest me burg" 17-vjeçarin Florian Përvathi, i cili vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin, Lek Lekgjonaj.  Avokati i të miturit i cilësoi të dy viktima, dhe gjithë shoqërinë bashkëfajtore.Togat e zeza vendosën të mbajnë në burg pa afat adoleshentin për akuzën “vrasje për gjakmarrje”, si dhe me akuzën për "armëmbajtje pa leje". 17 vjeçari ndodhet ende në gjendje të rënduar psikologjike.

Para gjyqtarit Artan Hajredinaj ai ka heshtur, ndërsa deklarimet e vetme i ka dhënë para policisë ku u vetëdorëzua pas vrasjes. Avokati i të miturit, Andi Durra, pas vendimit tha se "ngjarja e Manatisë është ndër rastet ku të dy janë viktima dhe gjithë shoqëria bashkëfajtore".

"Rasti i parë kur ka dy viktima, një që ka ndërruar jetë dhe i shpreh ngushëllimet e mia dhe familjarëve të të ndjerit, por viktima e dytë, që për mendimin tim nuk do të jetë e fundit, është edhe autori i veprës penale. Nga pak të gjithë jemi bërë fajtorë dhe i kemi nxitur të bëjnë këto lloj veprimesh," tha avokati.